Kronikë

SPAK merr në dorë dosjen e Voltan Xhanit, i dyshuar për vrasjen e Elis Rroshkodolit, arrestuar me armë në çantë

Shkruar nga Liberale.al

SPAK merr në dorë dosjen e Voltan Xhanit, i dyshuar për vrasjen e

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë në dorë dosjen hetimore ndaj Voltan Xhanit, 39-vjeçari që u arrestua pak ditë më parë në Gjirin e Lalëzit së bashku me Xhevdet Plakun dhe gjashtë persona të tjerë.

Xhani ishte shpallur në kërkim nga Policia pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për “Trafikim të mjeteve motorike” kryer në bashkëpunim dhe “Sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”.

Sipas hetimeve paraprake, Xhani është i dyshuari kryesor për organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit, ngjarje që tronditi qytetin e Shkodrës më 30 gusht të vitit të kaluar, e cila ndodhi në mes të ditës dhe në rrethana të dyshimta.

Në momentin e ndalimit, Policia bëri një kontroll fizik dhe në çantën e tij u gjet një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, çka ngriti edhe më tej dyshimet për rrezikshmërinë e tij dhe përfshirjen në aktivitete kriminale të rënda.

Dosja tashmë i është dorëzuar SPAK, i cili pritet të thellojë hetimet mbi të gjithë rrjetin që qëndron pas vrasjes dhe veprimtarive të tjera të dyshuara të grupit, përfshirë trafikun e mjeteve dhe krime të mundshme të tjera. Arrestimi i Xhanit shihet si një hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH