SPAK, në bashkëpunim me autoritetet finlandeze, ka goditur një grup të madh kriminal që merrej me trafikun dhe shpërndarjen e drogës në Finlandë. Sipas kreut të SPAK, Altin Dumani, bëhet fjalë për katër grupe të ndryshme, të gjitha të drejtuara nga shtetas shqiptarë që ndodheshin në Shqipëri dhe nga aty organizonin aktivitetin kriminal.
Hetimet nisën që në vitin 2023 dhe janë finalizuar vetëm së fundmi. Janë lëshuar 11 urdhër-arreste në Shqipëri, por deri më tani janë arrestuar vetëm 9 persona 2 të tjerë janë ende në kërkim. Ndërkohë, në Finlandë janë arrestuar dhe dënuar 55 persona, nga të cilët 10 janë shqiptarë, ndërsa të tjerët janë shtetas të huaj: finlandezë, polakë, rumunë, aziatikë dhe afrikanë.
Grupi përdorte aplikacione si Telegram, Signal dhe WhatsApp për të komunikuar dhe organizuar aktivitetet e paligjshme. Megjithëse drejtuesit e grupit ishin në Shqipëri, ata dërgonin herë pas here persona në Finlandë për të kontrolluar nga afër shpërndarjen e drogës.
Nga hetimet është zbuluar se grupi trafikonte drogë sintetike, veçanërisht amfetaminë dhe ekstazi, përveç kokainës dhe kanabisit, çka përbën një risi për grupet shqiptare, që deri tani ishin më shumë të përfshira në tregtinë e lëndëve natyrore si kanabisi dhe heroina.
Droga vinte kryesisht nga Spanja dhe Holanda, dhe dërgohej drejt Finlandës me kamionë me targa polake ose me postë. Në total janë sekuestruar rreth 300 kg drogë, përfshirë 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë, 100 kg kanabis dhe tableta ekstazi.
Në Shqipëri, gjatë aksionit janë sekuestruar 8 makina, shumë celularë dhe dokumente që pritet të ndihmojnë më tej hetimet. SPAK ka njoftuar se do të vijojnë edhe hetimet pasurore, pasi fitimet nga droga janë sjellë në Shqipëri përmes sistemit “Moneygram” dhe janë investuar në pasuri të paluajtshme.