
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj ish-shefit të Sektorit të Narkotikëve, Gazmir Preçi. Ai akuzohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv”.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se Preçi ka marrë një shumë prej 10.000 euro nga shtetasi me inicialet B.T., në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në një lokal të administruar prej tij. Lokali ushtronte aktivitetin e “muzikës live”, ku ishin punësuar shtetas shqiptarë dhe të huaj.
Njoftimi
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve paraprake për procedimin penal nr.170 të vitit 2024, ka paraqitur më 03.02.2025 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për dërgimin në gjyq në ngarkim të të pandehurit:
Gazmir Preçi, punonjës i policisë së shtetit, ish shef i Sektorit të Narkotikëve në DVP Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Në përfundimin e hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Gazmir Preçi i ka kërkuar dhe marrë një shumë monetare në vlerën 10,000 (dhjete mijë) euro shtetasit B.T, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj.
Hetimet e këtij procedimi u kryen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.