15 vjeçari Aurel Bibaj nga Postriba, i cili prej dy ditësh kishte humbur kontaktet, është gjetur nga policia e Shkodrës në bashkëpunim me komisariatin nr. 5 në Tiranë dhe ndihmën e familjarëve. 15 vjeçari është gjetur në zonën e Babrrusë në Tiranë ndërsa ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Prej dy ditësh i mituri kishte humbur kontaktet me familjen e tij në Postribë. Mëngjesin e djeshëm pasi ka lënë vëllain në shkollë, ai është larguar duke mos u futur në mësim dhe nuk ka shkuar as në shtëpi. Kjo ka shqetësuar prindërit ndërsa babai i tij Agim Bibaj denoncoi në polici rastin dhe sot edhe në media.
I ati tha se djali tij, sipas dëshmisë së shokëve të 15 vjeçarit, është larguar pasi babai i kishte bërtitur që të sillej mirë.
Pas një angazhimi të policisë, 15 vjeçari u gjet nga forcat e policisë dhe i është dorëzuar familjes. Tashmë do të merret në pyetje në praninë e psikologëve për arsyet e largimit të tij nga banesa.