Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar dhe atë italian në provincën e Padovës. Fatos Cenaj, 59 vjeç, me origjinë shqiptare dhe ish-roje burgu, u gjet në gjendje kritike mëngjesin e së dielës, më 8 qershor, në rrugën Casoni Basse, në zonën Fontaniva.
Cenaj ishte qëlluar me dy plumba në kokë dhe ndodhet aktualisht në spital, duke luftuar për jetën. Trupi i tij u gjet rreth orës 09:30 nga kalimtarë të rastësishëm, vetëm pak qindra metra larg banesës së tij.
Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një aksident me biçikletë, por më pas mjekët zbuluan se plagët ishin shkaktuar nga armë zjarri. Kjo zbulim e ka kthyer çështjen në një rast të rëndë kriminal, duke alarmuar komunitetin lokal.
Sipas mediave italiane, Cenaj njihej si një njeri i qetë dhe pa të kaluar kriminale. Ai nuk kishte konflikte të njohura, çka e bën ngjarjen edhe më të mistershme.
Karabinierët e Padovës, nën drejtimin e nënkolonelit Enrico Zampolli, po hetojnë disa pista. Një prej tyre është ajo e një të shtënë aksidentale, ndoshta nga ndonjë banor i zonës që ka përdorur armë për gjueti ose për provë. Për këtë qëllim, autoritetet kanë nisur të kontrollojnë të gjithë personat që posedojnë leje armësh në atë zonë.
Po ashtu, po shqyrtohen edhe kamerat e sigurisë përreth vendit të ngjarjes, me shpresën për të identifikuar ndonjë automjet apo person të dyshimtë. Një tjetër pistë që nuk përjashtohet është ajo e një atentati, me të shtënat që mund të jenë qëlluar nga një makinë në lëvizje.
Bashkëshortja e Cenajt është marrë në pyetje nga autoritetet dhe nuk rezulton të ketë pasur ndonjë konflikt me të. Për momentin, ajo është përjashtuar nga hetimet si person i dyshuar.
Gjendja shëndetësore e Fatos Cenajt mbetet kritike, ndërsa hetimet vazhdojnë me intensitet për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të rëndë.