Kronikë

Motori i ujit përmbyset në det, vdes turisti britanik! Çfarë tregoi shoqja e tij

Shkruar nga Liberale.al

Motori i ujit përmbyset në det, vdes turisti britanik!

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku një turist britanik 34-vjeçar, Sylvester Obeg, humbi jetën si pasojë e një aksidenti detar gjatë një udhëtimi me motor uji.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, viktima ka ndërruar jetë për shkak të asfiksisë nga uji, pasi mbeti i bllokuar nën mjetin lundrues që u përmbys gjatë një manovre të fortë në det të hapur, pavarësisht se kishte të veshur jelekun e shpëtimit.

Shoqja e tij 31-vjeçare, gjithashtu me shtetësi britanike, ndodhej në motor bashkë me të. Ajo arriti të shpëtojë dhe, pas trajtimit mjekësor në spitalin e Durrësit, është liruar në gjendje të mirë shëndetësore. Burime spitalore bëjnë me dije se ajo ka qëndruar për 24 orë nën vëzhgim në pavionin e sëmundjeve të brendshme dhe i është nënshtruar të gjitha kontrolleve mjekësore.

Në dëshminë e saj, ajo ka rrëfyer se motorri i ujit u përmbys pasi i dashuri i saj bëri një manovër të fortë në thellësi, dhe për pasojë ai mbeti i zënë poshtë mjetit.

Pas ngjarjes, policia e Durrësit ka arrestuar operatorin turistik që ofronte me qira mjetet ujore, nën akuzën e shkeljes së rregullave të sigurisë në punë. Sipas hetimeve paraprake, operatori kishte lejuar drejtimin e mjetit nga turisti pa poseduar lejen përkatëse për drejtimin e motorëve të ujit, çka përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe ka sjellë pasoja fatale.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH