Zhvlerësimi i monedhave të huaja rrezikon të shoqërohet me luhatje të inflacionit dhe paqëndrueshmëri të çmimeve si dhe largon investitorët
Pothuajse të gjitha monedhat e huaja pësuan një tjetër rënie sot në tregun valutor. Sipas të dhënave më të fundit dollari u ble për 86.9 lek, dhe euro për 98.9 lek.
Në prag të sezonit turistik, rikuperimi i monedhave të huaja duket më i vështirë.
Mbiçmimi i Lekut kundrejt monedhave të tjera përbën një rrezik jo vetëm për zhvillimin e vendit, por edhe për investitorët e huaj.
Fondit Monetar Ndërkombëtar, përmes një analize sugjeron që autoritetet shqiptare të lejojnë fleksibilitet më të madh në kursin e këmbimit duke luajtur me politikën e normës së interesit.
“Kursi i këmbimit duhet të vazhdojë të luajë rolin e tij si amortizues të inflacionit. Autoritetet duhet ta lënë kursin e këmbimit të përshtatet në mënyrë më fleksibël përmes politikave të normave të interesit si mjeti kryesor për stabilitetin e çmimeve. Skenari për të mbrojtur ekonominë duhet ndërtuar gradualisht, pasi luhatjet e kursit të këmbimit mund të rrisin më tej inflacionin”.
Më tej, FMN në analizën e saj për ekonominë shqiptare thekson se sektori i pasurive të paluajtshme vazhdon të paraqesë rrezik, duke sugjeruar frenim të aprovimit të kredive për këtë qëllim.
“Kreditë me probleme ranë nga 50 përqind e totalit të kredive në 2014 në 25 përqind në 2024. Ndërsa rreziqet për aftësi shlyese mbeten të pranishme veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme. Vlerësimet e fundit sugjerojnë frenim të kredive për investim në këtë sektor, huatë për të cilat përbëjnë dy të tretat e kredive me probleme”.
FMN vlerëson se gjatë dekadës së fundit, sektori bankar i Shqipërisë ka pësuar një transformim të rëndësishëm, i mbështetur nga performanca e shëndoshë makroekonomike dhe reformat gjithëpërfshirëse financiare.