Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Tarifa absurde mbi 7 mijë Euro për lejet e ndërtimit në fshat, që rriti Tiranën dhe boshatisi Shqipërinë!

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: Tarifa absurde mbi 7 mijë Euro për lejet e

Kujt i interesonte një tarifë e tillë për lejet e ndërtimit në fshatrat e Shqipërisë, përballë stokut të mbi 40 mijë apartamenteve që qëndrojnë ende pa asnjë taksë në Tiranë dhe që ndikoi duke i çuar çmimet e banesave dhe qirave si në Athinë

Ndryshimi i ligjit dhe vendosja e tarifava të larta për të aplikuar me qëllim për të marrë një leje ndërtimi, për ata të cilët donin të ndërtonin një shtëpi në zonat rurale, në tokën e tyre dhe me paratë e tyre, i dekurajuan të rinjtë gjatë viteve të fundit, të cilët u larguan nga fshatrat e Shqipërisë, duke i boshatisur ato masivisht nga jugu në veri.

Pas dëmit që shkaktoi tarifa e cila shkon mbi 7 mijë Euro, një e tillë është duke u rishikuar aktualisht nga qeveria. Ajo është denoncuar edhe nga brenda qeverisë më herët, po as është ulur dhe as nuk është hequr. Ishte Erion Braçe, kur mbante postin e numrit dy të qeverisë një ndër ata të cilët e denoncoi një të tillë.

Përballë një tarife të tillë absurde kishte dy alternativa prej të rinjve; ose të shkonin në perëndim dhe ta investonin andej të ardhmen e tyre, duke tërhequr edhe familjen në emigracion ose të investonin në një nga qytetet e mëdha për të blerë një apartament si në Tiranë ose në Durrës.

E thënë ndryshe, politika të caktuara fiskale kanë favorizuar ndryshimet demografike në boshatisjen e fshatrave anembanë Shqipërisë, në vend që të ishin hartuar politika që të jepnin efekt të kundërt.

Sakaq, për të thënë se nuk është rastësore, paralelsisht gjatë kësaj periudhe nuk është caktuar ende asnjë taksë për mbi 40 mijë apartamente që qëndrojnë stok në Tiranë. Kjo do të thotë se një ofertë më e ulët në treg ka ndikuar gjatë dekadës së fundit në rritjen e paprecedentë të çmimeve të apartamenteve dhe qirave, duke demoralizuar sërish të rinjtë për të parë si një alternativë të parë emigracionin. Nga ana tjetër në rritjen e kërkesës për apartamente në Tiranë dhe rrjedhimisht edhe të çmimeve ndikoi edhe tarifa e vendosur për ndërtimet në zonat rurale. 

Përballë një oferte gjithnjë e më të madhe nga ndërtimet në Tiranë dhe bregdet, dhe nga ana tjetër të një popullsie që vjen çdo vit duke u tkurrur prej emigracionit apo rënies së lindshmërisë, si mund të shpjegohet, mbi ç'logjikë tregu, rritja e çmimeve dhe e qirave të apartamenteve?!

Përse?!

Nga 3.3 milionë banorë që kishte Shqipëria në ‘90, popullsia zbriti në 2.8 milionë banorë në vitin 2011 dhe sipas të dhënave paraprake të Censusit të vitit 2023, përgjigjet e së cilit do të dalin në qershor, popullsia që jeton brenda vendit ka pësuar sërish rënie.

Nëse në pension janë rreth 700 mijë banorë dhe pak më shumë se kaq janë nxënës dhe studentë, pjesa tjetër është popullsia aktive për punë. Rreth 200 mijë prej të cilëve janë pjesë e Administratës Publike.

Duke përfshirë edhe ata të cilët janë larguar në emigracion, sipas të dhënave të Gjendjes Civile, popullsia totale e Shqipërisë mbi 18 vjeç llogaritet aktualisht në rreth 3.6 milionë banorë kurse ajo nën këtë moshë është rreth 1 milion banorë.

Para se të jenë vonë, ka gjithmonë një kohë për të riparuar dëmin, sikurse kërkohet një reflektim nga ligjvënësit tanë, të cilët kur i hartojnë ligjet dhe para se t’i votojnë ato, duhet minimalisht të kuptojnë qëllimin, sepse, nëse shkojnë kundër interesit të një shumice shumë herë më të madhe edhe se vetë ajo qeverisëse, atëherë ata për çfarë janë votuar dhe çfarë mbrojnë?! Është ndoshta koha që çdo politikan të pyesë sot veten nëse është duke kontribouar për të ndërtuar një shoqëri sa më të drejtë, në një vend të cilin do të duhet ta jetojnë edhe brezat që do të vijnë.

SHIFRA E DITËS: Tarifa absurde mbi 7 mijë Euro për lejet e

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH