Në kontaktet me operatorë të ndryshëm është lehtësisht e konstatueshme: në Shqipëri mbërrijnë kryesisht turistët më të varfër të Europës.
Arsyeja është e thjeshtë. Shqipëria është promovuar si një nga destinacionet më të lira turistike në Europës. Udhëtimi, fjetja dhe ushqimi janë të përballueshëm për qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian, kryesisht me të ardhura të ulëta. Në këto kushte, vendin tonë e vizitojnë turistë të cilët mund të mos kenë bërë plane më parë për pushime jashtë, por të joshur nga oferta, kanë ndryshuar planet e verës.
Qeveria shqiptare në fillim të këtij viti shpalli si objektiv që numri i turistëve këtë vit të shkonte në 14 milionë turistë, nga 10.5 milionë që ishte për vitin 2023. Por teksa rritja e vizitorëve është realizuar në gjysmën e parë të këtij viti dhe mund të konsiderohet sukses, e përkthyer në terma ekonomikë një gjë e tillë nuk ka pasur të njëjtin rezultat. Autoritetet në fakt kanë përmendur disa herë që sfidë për turizmin shqiptar në të ardhmen mbetet orientimi drejt një turizmi elitar.
Sipas të dhënave zyrtare, pavarësisht numrit të lartë të shtetasve të huaj që mbërrinë në vendin tonë, përgjatë gjysmës së parë të viti, paraja e shpenzuar ishte e ulët duke parë pritshmëritë në fillim të vitit. Në gjashtë muajt e parë, 4.57 milionë turistë të huaj u regjistruan në vendin tonë dhe shpenzuan mesatarisht 426.6 euro për person.
Të dhënat nga Instituti I Statistikave të lidhur me ato të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë një turist shpenzoi gati 31 euro më pak.
Edhe pse në total shpenzimet e shtetasve të huaj në Shqipëri ishte rreth 1.9 mld euro ose e interpretuar ndryshe 400 milionë euro më shumë se 6-mujori i parë i vitit të kaluar, një numër më i lartë çuan në rënie e shpenzimeve të çdo turisti të huaj që ka vizitur këtë vit Shqipërinë. I njëjti trend vërehen se ka vijuar edhe në muajt e verës.
Përgjatë periudhës janar-qershor të këtij viti shqiptarët në total shpenzuan për pushime 1.2 mld euro ose e llogaritur ndryshe një shqiptar për pushime shpenzoi rreth 340 euro. Por në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë shpenzimet mesatare për një shqiptar i cili vendosi të kalojë pushimet jashtë vendit u shtuan me rreth 22 euro.
Greqia planifikon të vendosë një taksë prej 20 eurosh për vizitorët e anijeve turistike në ishujt e Santorinit dhe Mykonos gjatë sezonit të pikut të verës, në një përpjekje për të shmangur mbiturizmin , tha të dielën kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Sakaq, vendi fqinj, Greqia, ekonomia e së cilës mbështetet shumë te turizmi, është një shembul i mirë për t’u krahasuar me Shqipërinë.
Disa nga destinacionet e saj më të njohura, përfshirë Santorinin, një ishull idilik me fshatra të çuditshëm dhe plazhe të pacenuara me 20,000 banorë të përhershëm, rrezikojnë të shkatërrohen nga turizmi masiv. Një pjesë e të ardhurave nga taksa e transportit të lundrimit nga jahtet dhe të pasurit që vizitojnë ishujt grekë do t'u kthehen komuniteteve lokale për t'u investuar në infrastrukturë, tha Mitsotakis. Qeveria greke planifikon gjithashtu të rregullojë numrin e anijeve turistike që mbërrijnë njëkohësisht në destinacione të caktuara, ndërsa rregullat për të mbrojtur mjedisin dhe për të trajtuar mungesën e ujit duhet të vendosen gjithashtu në ishuj, tha ai.
Të ardhurat greke nga turizmi arritën në rreth 20 miliardë euro në vitin 2023 nga afro 31 milionë turistë, ose rreth 1.400 euro për çdo turist.
Jo vetëm në Santorini dhe ishujt të tjerë të cilët po përballen me fluks turistësh, madje me turistë elitarë por edhe banorë të zonave të tjera të cilat vizitohen masivisht nga turistët, janë ngritur në protestë. Protestuesit u kanë bërë thirrje qeverive për frenim të turizmit, si në destinacionet e tjera të njohura të pushimeve në Europë, duke përfshirë Venecian dhe Barcelonën, pasi jeta e tyre po bëhet më e shtrenjtë, e vështirë dhe e papërballueshme.
Turizmi, si një sektor i rëndësishëm i ekonomisë, ashtu si çdo sektor tjetër nuk mund të zhvillohet pa një strategji kombëtare zhvillimi.