Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2023, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar (biznesi i madh), zënë 40,6 % të numrit gjithsej të të punësuarve, të cilët realizuan 46,9 % të shitjeve neto edhe pse përbëjnë vetëm 1,2 % të ndërmarrjeve aktive. Tregtia është forma më e përhapur e biznesit në vendin tonë, ndërsa shitjet në total kanë pësuar rënie për biznesin e madh, referuar të dhënave të INSTAT, Instituti i Statistikave, për vitin e kaluar.
Anketa Strukturore pranë Ndërmarrjeve ka për qëllim të ofrojë informacion mbi strukturën ekonomike, financiare dhe karakteristikat kryesore të ndërmarrjeve të regjistruara në Regjistrin Statistikor të Ndërmarrjeve dhe aktive në sektorët ku ato operojnë, në periudhën referuese Janar - Dhjetor 2023.
Në vitin 2023, kanë qenë 117.292 ndërmarrje ekonomike aktive në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke shënuar një rritje me 3,4 %, krahasuar me vitin 2022.
Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet tregtar kanë zënë përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve me 35,7 %. Numri i të punësuarve gjithsej në vitin 2023 ka qenë 559.922, duke u rritur me 2,2 %, krahasuar me vitin 2022. Prodhuesit e shërbimeve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorët tregti, akomodim dhe shërbim ushqimor, transport dhe komunikacion dhe shërbime të tjera zënë 65,2 % të numrit të të punësuarve gjithsej.
Prodhuesit e të mirave që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorët industri nxjerrëse, industri përpunuese, energji, ujë, trajtimi i mbetjeve dhe sektorin e ndërtimit, zënë 34,8 %.
Shitjet neto në vitin 2023 arritën vlerën 3.381 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 0,7 % ndaj vitit 2022. Prodhuesit e shërbimeve zënë pjesën më të madhe të shitjeve neto të realizuara duke përbërë 67,5 % të shitjeve neto gjithsej.
Ndërmarrjet në prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me 0,3 pikë përqindje në numrin e ndërmarrjeve; 0,4 pikë përqindje në numrin e të punësuarve dhe -2,6 pikë përqindje në shitjet neto. Ndërmarrjet në prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me 3,1 pikë përqindje në numrin e ndërmarrjeve; 1,8 pikë përqindje në numrin e të punësuarve dhe 3,2 pikë përqindje në shitjet neto.
Sektori i Shërbimeve dhe sektori i Ndërtimit kanë kontribuar përkatësisht me 1.6 pikë përqindje dhe 0,7 pikë përqindje në rritjen prej 0,7 % të shitjeve neto gjithsej.
Shitjet neto për të punësuarit, për vitin 2023 kanë qënë 6.039 mijë lekë nga 6.131 mijë lekë për të punësuar rezultuar në vitin 2022. Ky tregues është më i lartë tek prodhuesit e shërbimeve (6.253 mijë lekë për të punësuar) në krahasim me prodhuesit e të mirave (5.640 mijë lekë për të punësuar).
Ndërmarrjet e prodhimit të të mirave ku përfshihen sektorët e industrisë nxjerrëse, përpunuese, energjisë elektrike, gazit, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve si edhe ndërtimi, përbëjnë rreth 32,5 % të shitjeve neto të realizuara. Sektori me ndikimin më të madh në prodhuesit e të mirave për numrin e ndërmarrjeve aktive (6,1 %). shitjet neto (11,5 %) dhe numrin e të punësuarve (18,5 %) ka qënë sektori i industrisë përpunuese.
Shërbimi, tregtia dhe ndërtimi janë tre sektorët që kanë ndikuar pozitivisht në ekonominë tonë, ndërsa industria e lehtë dhe ajo përpunuese siç edhe tregohet nga tabela, janë në rënie
Në prodhuesit e shërbimeve operojnë 87,2 % e ndërmarrjeve aktive të cilat realizuan 67,5 % të shitjeve neto. Në këtë grup ndërmarrjesh rolin kryesor e luan tregtia (ku përfshihen tregtia me shumicë, me pakicë dhe riparimi i automjeteve). Në tregti operojnë 35,7 % e ndërmarrjeve të cilat realizojnë 45,5 % të shitjeve neto gjithsej. Sektori i tregtisë kontribuoi me 0,7 pikë përqindje në rritjen vjetore prej 0,7 % të shitjeve neto. Të punësuarit në tregti zënë 24,5 % të numrit të të punësuarve gjithsej.
Struktura e treguesve bazë sipas aktiviteteve ekonomike për prodhuesit e të mirave, 2023
Gjatë vitit 2023 ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar (biznesi i madh) zinin 40,6 % të numrit gjithsej të të punësuarve, të cilët realizuan 46,9 % të shitjeve neto edhe pse përbëjnë vetëm 1,2 % të ndërmarrjeve aktive. Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar (biznesi i vogël) zënë 28,0 % të të punësuarve gjithsej të cilët kanë realizuar 15,4 % të shitjeve neto dhe përbëjnë 86,1 % të ndërmarrjeve aktive.
Struktura e treguesve bazë sipas aktiviteteve ekonomike për prodhuesit e shërbimeve, 2023
Nga rezultatet vërehet se ndërmarrjet me 50 dhe më shumë të punësuar kanë kontribuar negativisht me - 0,3 pikë përqindje në ndryshimin vjetor të shitjeve neto gjithsej.
Treguesit kryesorë sipas madhësisë së ndërmarrjes, 2023
Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë kontribuar me 1,6 pikë përqindje.