Analizë

Ikin shqiptarët, vijnë të huajt! ANALIZA për Liberale nga Mateo Spaho: Tri shtyllat e forta të trekëndëshit, një “recetë” ndaj emigracionit

Shkruar nga Aranit Muraçi

Ikin shqiptarët, vijnë të huajt! ANALIZA për Liberale nga

Pas rënies së komunizmit shqiptarët vazhdojnë të largohen, kryesisht të rinjtë, ndërsa tregu i punës sipas nevojave dhe sektorëve po tërheq gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj.  

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) thotë se gjatë vitit 2024 janë punësuar në vendin tonë një numër rekord punonjësish të huaj, të cilët vijnë kryesisht nga vendet e Lindjes së Largët apo ato afrikane. Rritja e numrit të të huajve ka si arsye rritjen ekonomike që ka pësuar vendi, thekson drejtoresha e Shërbimit të Tregut të Punës, Gertiola Çepani në një intervistë në media.  Në vitin 2024, sipas të dhënave nga institucioni që ajo drejton, janë të regjistruar 700 mijë të punësuar në listë-pagesa, ku rreth 13 mijë janë të huaj që kanë aplikuar për t’u punësuar në Shqipëri. Shifra mund të jenë më e lartë, duke marrë në konsideratë faktin se një pjesë e tyre punojnë  në të zezë”.

Nëse i referohemi vendit nga vijnë, duke përjashtuar kosovarët, të cilët si shqiptarë nuk ka pse të merren si “të huaj”, të huajt në tregun e punës dominohen nga italianët, turqit dhe indianët, filipinasit, indonezianët, por nuk mungojnë edhe nga shtetet e tjera afrikane. Në sektorin e ndërtimin më të preferuarit janë egjiptianët. Sektorët e tjerë kryesorë ku janë siguruar kontratat e punës renditen shërbimi, akomodimi, tregtia dhe industria përpunuese.

“Liberale.al” kontaktoi dekanin e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, në Universitetin Europian të Tiranës, z.Mateo Spaho, për të analizuar ndryshimet drastike që po pëson tregu i punës, veçanërisht pas periudhës së pandemisë. Spaho thotë se këto zhvillime janë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe ato po ndryshojnë me shpejtësi edhe duke qenë në varësi të zhvillimeve të ekonomisë dhe ndryshimeve të tregut të punës në vendet e tjera të zhvilluara ku synojmë të integrohemi në një të ardhme.   

 “Në fillimin e vitit 2012 Shqipëria pati liberalizimin e vizave me vendet e BE-së e më pas thjeshtëzimin e procedurave me shumë vende të tjera si SHBA dhe Kanada. Gjatë viteve 2015 dhe 2016 Gjermania hapi dyert në mënyrë progresive ndaj punëtorëve të specializuar të Ballkanit Perëndimor dhe sot, ndonëse Shqipëria nuk është ende vend i Bashkimit Europian, për shqiptarët nuk është edhe aq e vështirë të emigrosh në mënyrë të rregullt”.

Sot profesione të ndryshme që lidhen me fushën e IT, Financës, Mjekësisë, Inxhinierisë, Arkitekturës kanë një horizont dhe konkurrencë ndërkombëtare. E njëjta gjë vlen edhe për profesione ku nuk është i domosdoshëm arsimi i lartë si punonjësit e ndërtimit, elektricistët, hidraulikët, hoteleri-turizmit etj”... Është e pamohueshme se përtej progresit të  Shqipërisë dhe rritjes së pagave e të fuqisë blerëse në 27 vitet e fundit, distanca qe sot ndihet me Europën veriore dhe SHBA, është ende tepër e madhe”- thekson Spaho.

Nisur nga fakti se Shqipëria është një vend i vogël, a rrezikon tregu i punës të mbetet në një perspektivë pa shqiptarë? Ligji parashikon që të gjithë shtetasit e huaj duhet të sigurojnë një kontratë pune, për të aplikuar më pas për leje qëndrimi në vendin tonë. Çka do të thotë se nëse do të ecet më këto ritme ose me ritme më të shpeshta si në dy vitet e fundit pas pandemisë, Shqipëria në dy-tri dekadat e ardhshme mund të mbetet pa shtetas shqiptarë.

Rreth 40% e fuqisë punëtore në Shqipëri ka emigruar jashtë vendit. Kjo shifër del nga raportimw i fundit i vitit 2024 i publikuar prej Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM). Raporti vlerëson se një pjesë e madhe e fuqisë punëtore shqiptare po punon në vende të tjera, duke theksuar se kjo lëvizje masive ka ndikim të rëndësishëm në biznesin vendas, i cili vazhdon të humbasë punëtorë, jo vetëm në sektorët me kualifikim të ulët, por edhe në ato me profile më të larta. Dekani i Fakultetit Ekonomik në UET, z. Mateo Spaho, në analizën e tij thotë se arsyet e emigrimit nuk janë vetëm ekonomike, si ndryshim nga dy dekadat e para pas rënies së komunizmit. 

 “Një infermier në Shqipëri sot ka të ardhura afër 500 euro në muaj ndërsa në Gjermani mund të marrë 4-fishin e. Një arsyetim i ngjashëm vlen për shumë profesione të tjera. Natyrisht edhe kosto e jetesës është më e lartë jashtë shtetit. Gota, gjithsesi duhet parë gjysmë plot sepse sot edhe ata që duan të emigrojnë nuk shohin me si alternativë Greqinë apo Italinë, siç ndodhte 15 vite më parë. Ky është tregues indirekt se Shqipëria ka ecur. Në vitin 1990 vendi ishte në pozicionin e 177 nga rreth 180 shtete sa i përket fuqisë blerëse për person, ndërsa sot pozicionohet në vendin e  82-të nga rreth 190 shtete”, - nënvizon Spaho. - “Një element i fundit që duhet theksuar se arsyet e emigrimit nuk janë vetëm ekonomike por lidhen edhe me ndjesinë e lirisë që rinia ka kur ikën jashtë shtetit, sepse kërkon ta vazhdojë jetën pa ndikimin e prindërve apo të shoqërisë shqiptare që e ka për zakon të merret (tepër) edhe me jetën private të gjithsecilit."

Duke qenë se për shqiptarët gjatë dekadës së fundit janë krijuar më shumë lehtësira dhe mundësi më të mëdha për të lëvizur dhe për ta zhvilluar karrierën në një vend tjetër më të zhvilluar, kryesisht në Europë, parandalimi i plotë shihet i pamundur, ndërsa për zotin Spaho, zgjidhja për pakësimin e emigracionit qëndron në një trekëndësh të përbërë nga tri shtylla të forta.  

Zgjidhja për pakësimin e emigracionit qëndron në një trekëndësh të përbërë nga tri shtylla të forta. E para, lidhet me vijimin e rritjes ekonomike dhe të fuqisë blerëse për shqiptarët. E dyta ka të bëjë me rritje të cilësisë së jetesës që përbëhet kryesisht nga arsimi dhe shëndetësia e që ndihet në veçanti kur të rinjtë duan të krijojnë familje në Shqipëri. E treta, por jo për nga rëndësia ka të bëjë me zgjerimin e hapësirave personale në vendim-marrjen që të rinjtë duan të kenë. Kjo do të thotë liri për shkollën dhe universitetin që do të përzgjedhësh por edhe liri për të vendosur në jetën private. Këto liri në Tiranë janë në nivele të mira por në pjesën tjetër të vendit presioni familjar dhe shoqëror është i larte dhe emigrimi është një alternativë vetvetiu që zgjidh shumë çështje... Në të tre këto shtylla jemi te gjysma e rrugës. Kur të mbërrijmë në fund do të jemi bërë jo vetëm vend i zhvilluar por edhe tërësisht perëndimor”.

Sipas Censit të vitit 2023, popullsia brenda territorit të Shqipërisë u tkurr në rreth 2.4 milionë banorë ose me 400 mijë banorë krahasuar me vitin 2011, kur u realizua Censi i parafundit. Prej vitit 2002, nga të dhënat zyrtare rezulton se vendit tonë i largohen çdo vit mesatarisht rreth 40-50 mijë banorë, treçereku prej të cilëve në moshë aktive për punë. Nga ana tjetër, të huaj që tërheq tregu ynë i punës, dhe nuk janë pak por mbi 13 mijë gjatë vitit 2024, shihen si një tregues pozitiv. - “Të bëhesh destinacion për emigrantët e huaj është arritje në dy aspekte sepse tregon qe vendi gjithnjë e më shumë perceptohet si i përshtatshëm për të jetuar e për të punuar (deri 10-15 vite me pare nuk ishte kështu)", thotë z.Spaho. 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH