Marrë nga gazeta “Koha Jonë” e datës 29 dhjetor 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku
Ka ngatërruar paratë me floririn, dje përfundon në burg
Një fallxhore anëtare e bandës
Me fall gjente se kush kishte më shumë para
BERAT- Në Berat lind mënyra më e re për të grabitur, duke vënë në përdorim një fallxhore, e cila më parë pyeste të afërmit mbi gjendjen e atyre që hidhnin fall. Viktimë e saj duken se kanë rënë dy të rinj, të sapo kthyer nga Greqia, të cilët sipas fallxhores, pasi kanë përcaktuar familjen ku gjendej një sasi e konsiderueshme floriri, kanë bërë gati të gjitha materialet dhe i janë sulur banesës, duke grabitur në vend të floririt 400 mijë dhrahmi dhe 150 mijë lekë shqiptare. U ka ndodhur kështu 18-vjeçarit Sokol Demiri nga fshati Fushë-Peshtan dhe 23-vjeçarit Lorenc Cani, nga fshati Ullinjas, të kthyer disa ditë më parë nga shteti helen. Dje ka qenë udhëtimi i tyre i fundit për në Poliçan, pasi ka qenë vetë shefi i Krimeve të komisariatit numër 2 Arben Frashëri, që e ka ndryshuar destinacionin e tyre për në qelitë e ftohta të komisariatit. Sipas kreut të krimeve Frashëri, kanë qenë denoncimet e plakut 75-vjeçar Shaban Murati dhe djalit të tij Haxhi Murati, që në mbrëmjen e të shtunës dy maska nën forcën e armëve u kanë grabitur një shumë të konsiderueshme dhrahmish dhe lekësh shqiptare. Fillimisht ka qenë mbesa 13-vjeçare që ka dalë jashtë, por shumë shpejt ajo është vendosur nën komandën e maskave të cilët më pas e kanë detyruar te futet në banesë. Plaku 75-vjeçar, ka treguar se "unë mbaja në dorë një fëmijë 3-muajsh, të cilin ma flakën dhe më kërkuan florinjtë dhe pistoletën që mbaja prej kohësh. Në atë moment u orvata të merrja automatikun e njërit prej maskave, por shoku i tij me një goditje me thikë në dorë, më hodhi përtokë.
Më pas, ata pasi morën 400 mijë dhrahmi dhe 150 mijë lekë shqiptare, u larguan qetësisht”. Sipas dy autorëve të krimit, ka qenë fallxhorja Ruzhdie K. 45 vjeçe nga qyteti i Kuçovës, që pasi u ka hedhur fall, u ka pohuar se në shtëpinë e 75-vjeçarit Murati gjendet një sasi e konsiderueshme floriri dhe një pistoletë. Por gjithsesi, kanë pohuar dy grabitësit, ajo nuk na ka nxitur për të kryer grabitjen. Dje është bërë ndali-mi i saj në komisariat per te dhënë shpjegime dhe për të parë mundësinë e pjesëmarrjes së saj në ndonjë grabitje tjetër. Nga ana e vet, policia si prova materiale për dy autorët, ka kapur dy maska, dy palë kominoshe me lara, dy automatikë dhe një thikë. KASTRIOT MALO