(Freskida Halilaj)
Gati 1 vit e gjysmë pasi u emërua në krye të kompanisë publike të prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, IdentiTek, largohet nga kjo detyrë Loina Prifti.
Kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike “IdentiTek” do të ketë nga sot në krye një drejtuese të re, Freskida Halilajn, për të çuar më para projektet e nisura.
Ndër to është edhe Identiteti Digjital për Shtetasit Shqiptar.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi drejtuesen e re, në prani të stafit të kompanisë dhe Këshillit Mbikëqyrës.
“Falenderova me mirënjohje, drejtuesen e derisotme të këtij institucioni, Loina Prifti, për punën e bërë në drejtimin e “IdentiTek”. Falë përkushtimit të saj dhe stafit të kompanisë, kemi siguruar standardet e larta ndërkombëtare, të ruajtjes së të dhënave dhe prodhimit të dokumenteve biometrike”, theksoi ministri Hoxha.
Historia e prodhimit të dokumenteve biometrike në Shqipëri daton në maj 2009. Kompania koncesionare ushtroi aktivitetin deri në mesin e vitit 2023, kur përfundoi kontrata dhe qeveria vendosi të krijonte kompaninë shtetërore. Pas gushtit 2023, stafetën e mori “IdentiTek”, shoqëri me kapital shtetëror.
Kompania prodhon karta identiteti e pasaporta biometrike për shtetas shqiptarë, por njëherësh edhe pasaporta diplomatike e shërbimi. Pasaportat prodhohen kundrejt vlerës 7.500 lekë të rinj.
Ajo prodhoi gjithashtu dokumente udhëtimi, leje qëndrimi dhe letërnjoftim elektronik enkas për shtetasit e huaj me qëndrim të përhershëm ose të përkohshëm, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ose që kanë fituar statusin e refugjatit e kanë përfituar azil në Shqipëri.
Loina Prifti (në foto) ish-drejtuesja e drejtoi këtë institucion pasi "Aleat" iu heq e drejta e koncesionit, dhe prodhimi i pasaportave mori emërtimin "IdentiTek".
Loina Prifti para se ti besohej detyra e lartë në Shqipëri prej vitesh jetonte dhe punonte në Gjermani ku ka marrë edhe shtetësi gjermane. 35-vjeçarja punonte në Katedrën e Informacioneve në Universitetin Teknik të Mynihut dhe merret me inteligjencën artificiale.
Me ardhjen e saj një nga ndryshimet që kjo agjenci mori përsipër të realizojë sapo të kthehet nën administrimin shtetëror do të ishte ulja e tarifave, si për kartat e identitetit, ashtu dhe për pasaportat, gjë që nuk ndodhi. Ndërkohë që mediat kanë raportuar se ish-drejtoresha i kishte caktuar vetes një pagë 15 mijë euro në muaj, duke e bërë postin e saj një ndër pozicionet më të lakmuara në institucionet shtetërore që nga ana finaciare vetadministrohen.