Aktualitet

Serbia e frikësuar nga pakti ushtarak Shqipëri, Kosovë, Kroaci

Shkruar nga Liberale
Serbia e frikësuar nga pakti ushtarak Shqipëri, Kosovë, Kroaci

Serbia duket se është frikësuar nga marrëveshja ushtarake e firmosur sot mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Ministria e jashtme në Beograd, përmes një reagimi, thekson se do të dërgojë në Tiranë dhe Zagreb një kërkesë urgjente për shpjegime lidhur me paktin trepalësh në fushën e mbrojtjes. Kosovën e përmend me nuanca provokuese ndërsa konsideron se përjashtimi i Serbisë nga kjo nismë është shqetësuese.

“Nuk do të anashkalojmë mesazhin e qartë politik të kësaj nisme. Është e qartë se ky memorandum nuk është rezultat i bashkëpunimit aksidental, por i një strategjie të qëllimtë që synon izolimin e Serbisë dhe forcimin e strukturave paraushtarake në provincën jugore serbe, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në reagimin e Ministrisë sëJashtme të Serbisë.

Ministria e jashtme e Serbisë shton se në atë pakt ishte ftuar edhe Bullgaria, duke kërkuar sërish përgjigje se kundër kujt është drejtuar kjo mini aleancë ushtarake.

“Në veçanti paralajmërojmë se armatimi i njëanshëm dhe bashkëpunimi ushtarak me strukturat ilegale në territorin e Kosovës dhe Metohisë paraqet goditje të drejtpërdrejtë për rendin juridik ndërkombëtar dhe kërcënim për paqen rajonale. Serbia nuk do ta pranojë këtë në heshtje", nëvizohet më tej në njoftim.

Beogradi zyrtar sqaron se e lexon si provokim këtë iniciativë për faktin se bëhet me Kosovën dhe jo me Serbinë, duke risjellë edhe njëherë në vëmendje shkëputjen nga realiteti aktual duke pretenduar një realitet tjetër në terren.

Deklarata përmbyllet me ultimatumin që Serbia pret një përgjigje urgjente nga Shqipëria dhe Kroacia për qëllimet reale të asaj që e konsideron “lojë të rrezikshme ushtarake”. Më pas kërcënon se nuk do të lejojë asnjë veprim që rrezikon integritetin e pretenduar territorial. (A2)

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH