Aktualitet

Policia sqaron pezullimin e oficerit që dyshohet se favorizoi djalin e Tom Doshit, pas aksidentit

Shkruar nga Liberale

Policia sqaron pezullimin e oficerit që dyshohet se favorizoi djalin e Tom

Në lidhje me pezullimin nga detyra, të Oficerit të Policisë Gjyqësore Nënkomisar I. S., me detyrë specialist/OPGJ në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban, në DVP Lezhë, Drejtoria Vendore të Policisë Lezhë sqaron se:

Më datë 17.03.2024, në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, shtetasi J. D., 24 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar automjetin tip “Lexus”, është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtuese shtetasen L. J., 55 vjeçe, banuese në fshatin Tresh, Lezhë, e cila ka marrë ndihmë mjekësore, në spitalin e Lezhës, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me këtë ngjarje rrugore, nga ana e Policisë Rrugore Lezhë janë kryer të gjitha veprimet  e para hetimore në vendngjare, konform ligjit, në konsultë me prokuroren e gatshme të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet janë referuar në Prokurori, më datë 18.03.2024, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore I. S., në ngarkim të shtetasit J. D., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ky rast është pasqyruar në komunikatën ditore  të datës 18.03.2024, në të cilën janë pasqyruar ngjarjet dhe aktivitetet ditore të strukturave të Policisë, përgjatë 24 orëve të datës 17.03.2024.

Më datë 15.04.2024, nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë është sjellë urdhri i ekzekutimit të vendimit penal të  Gjykatës së Lezhës, për caktimin e masës së sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të detyrës”, ndaj punonjësit të Policisë Nënkomisar I. S., pasi dyshohet se Nënkomisar I. S. ka shpërdoruar detyrën, duke favorizuar shtetasin J. D., duke mos sekuestruar automjetin e tij të përfshirë në ngjarje, por duke ia lënë në ruajtje.

Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka bërë pezullimin e mënjehershëm nga detyra, të punonjësit të Policisë I. S. dhe ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë të disiplinës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH