Mungesa e dokumentacionit mbetet një nga problemet kryesore që haset në Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) kur qytetarët paraqiten për caktimin e pensionit, veçanërisht për periudhat e punës në ish-ndërmarrjet shtetërore, bujqësore dhe kooperativa para vitit 1994. Shumë prej tyre nuk plotësojnë periudhën minimale të sigurimit pasi nuk kanë kontribute pas vitit 1994, gjë që i detyron të drejtohen në gjykata për njohjen e periudhave të padokumentuara, një proces i gjatë dhe me kosto të lartë.
Për të lehtësuar këtë situatë, qeveria ka miratuar më parë një vendim për njohjen automatike të periudhave të sigurimit në 72 kooperativa, por ky zgjidhje është e kufizuar dhe nuk përfshin gjithë ish-ndërmarrjet bujqësore apo shtetërore, duke krijuar diskriminim mes përfituesve.
Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave ka propozuar një ligj të ri që synon të njohë periudhat kontributive në institucionet dhe ish-ndërmarrjet shtetërore, bujqësore dhe kooperativa për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ky projektligj përfshin periudhat e punës deri në datat e ndryshme të hyrjes në fuqi të ligjeve dhe vendimeve që rregullojnë këto ndërmarrje.
Kushtet për njohjen e periudhave janë që qytetarët të kenë qenë banorë në zonat ku ushtronte aktivitetin ish-kooperativa apo ndërmarrja, si dhe të mos kenë qenë duke vuajtur dënime me heqje lirie gjatë periudhës së punës. Për llogaritjen e pensionit do të përdoren pagat referuese të përcaktuara nga vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 561, datë 12.08.2005.
Procesi i njohjes së periudhave do të zbatohet për pensionet që nuk janë caktuar deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, për ato në shqyrtim administrativ apo në proces gjyqësor në momentin e hyrjes në fuqi, duke siguruar një trajtim më gjithëpërfshirës dhe të drejtë për qytetarët.
ISSH-ja brenda tre muajsh do të hartojë listën e ish-kooperativave dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore sipas vitit të krijimit dhe territorit të veprimtarisë së tyre.
Përveç kësaj, periudhat e punësimit që njihen nga ligje të tjera vazhdojnë të vlejnë dhe nuk preken nga ky ligj i ri.