Aktualitet

KQZ miraton rregulloren për votën e emigrantëve, ja dokumentet që kërkohen

Shkruar nga Liberale

KQZ miraton rregulloren për votën e emigrantëve, ja dokumentet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e dokumentacionit për regjistrimin e emigrantëve që do të votojnë për zgjedhjet e 2025-ës. Për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, emigrantët duhet të dokumentacion që vërteton qëndrimin jashtë Shqipërisë dhe adresën nga ku votojnë.

Të dhënat e identitetit të shtetasit verifikohen nga KQZ-ja në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe, nëse ato janë të njëjta, bëhet nga DPGJC-ja regjistrimi në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile i adresës së shtetasit që voton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në një rubrikë të veçantë.

Gjatë paraqitjes së kërkesës së tij për regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit sipas rregullave të miratuara nga Komisioni Rregullator, zgjedhësi ngarkon në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) të paktën një nga dokumentet e listuar më poshtë që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë:

1. Dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës;
2. dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj, i lëshuar nga autoritetet përkatëse.
3. kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;
4. dokument/e bankare (kontratë kredie, vërtetim/statement bankar etj), e cila përmban adresën e banimit;
5. kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë;
6. kontratë furnizimi ose faturë të energjisë (gaz ose elektrike) në banesë;
7. kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive;
8. kontratë ose faturë të ofrimit të shërbimit të internetit/telefonisë fikse në banesë;
9. Leje drejtimi (patentë), në rastet kur shënohet adresa e banimit;
10. dokument të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni, apo tjetër të ngjashëm;
11. çdo dokument tjetër, i lëshuar në shtetin e huaj, që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e vetëdeklaruar jashtë vendit.

Numri i shtetasve shqiptarë të regjistruar në të njëjtën adresë, që aplikojnë në PER për regjistrim në listën e zgjedhësve nga jashtë vendit, nuk mund të jetë më shumë se 6 (gjashtë).

Vetëm për shkaqe të përligjura, dhe pas paraqitjes së dokumentacionit provues ligjor, PER do të lejojë regjistrimin në të njëjtën adresë të më shumë se 6 shtetasve shqiptarë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH