Jorgo Goro ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë së Himarës. ABC News ka siguruar letrën drejtuar këshillit bashkiak të Himarës, që mban datën 25 Mars, Goro shpreh mirënjohje për 12 vitet që i shërbeu qytetarëve ndërsa mohon akuzat për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash.
“Prandaj duke i falenderuar me shpirt të gjithë himariotët (më kanë votuar apo s’më kanë votuar, ky falenderim nuk i ndan), për të gjithë nderin e madh që më bënë në këto vite, dorëhiqem nga detyra me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur. Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqiat që na gjejnë!”, thotë mes të tjerash Goro.
Një ditë më parë, gjykata la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Goron. Sipas SPAK, Goro, në cilësinë e kryetarit të bashkisë në bashkëpunim me Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumente tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.
Po ashtu, Goro akuzohet se ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.