Një 30-vjeçar u kap në flagrancë nga Policia e Tiranës në qendër të zonës së Kombinatit, pasi mbante me vete një armë zjarri me silenciator, gati për qitje.
Policia bën të ditur se u vu në dijeni për rastin në rrugë operative dhe menjëherë organizoi operacioni e koduar “Punishtja” ku si rezultat, u arrestua 30-vjeçari Haxhi Nezaj, banues në Kombinat.
Në kuadër të veprimeve hetimore dhe mbledhjes së provave, policia zbuloi një punishte ku dyshohet se 30-vjeçari prodhonte silenciatorë për armë të ndryshme, të cilat më pas bliheshin nga persona të ndryshëm për kryerje të krimeve kundër personit dhe pronës.
Gjatë kontrolleve në këtë punishte dhe në banesën e tij, policia sekuestroi një armë zjarri – pushkë, municion luftarak, doza kokainë dhe sende të tjera të kundraligjshme ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.