Shqiptari Shpendi Malo, me origjinë shqiptare është shpallur në kërkim nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) dhe Europoli.
34-vjeçari Malo, akuzohet se ka vrarë një bashkatdhetar 27-vjeçar, në vitin 2019 në një zonë të pyllëzuar të Dölauer Heide në Halle/Saale (Gjermani).
Sipas mediave të huaja, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 më 11 shtator 2019, ku Malo e ka goditur 27-vjeçarin me thikë.
Sipas policisë, trupi i pajetë u hodh në një kanal aty pranë dhe u mbulua me gjethe për të fshehur krimin.
Trupi u zbulua vetëm katër ditë më vonë nga kalimtarët.
Një nga 20 kriminelët më të kërkuar në Evropë
“Bazuar në prova, Shpendi Malo u identifikua si një nga autorët e përfshirë. Megjithatë, autori, me origjinë nga Shqipëria, u largua nga Gjermania menjëherë pas krimit dhe u vu në listën ndërkombëtare të të kërkuarve”, shpjegoi policia e Saksonisë-Anhalt.
“Ne kemi kryer kërkime kombëtare dhe ndërkombëtare për vite me radhë”, tha Dennis Cernota, prokuror.
“Tani Malo po kërkohet edhe nga Europol dhe është vendosur në listën e 20 kriminelëve më të kërkuar të Evropës”, shtoi më tej ai.