Një 29-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi mbante armë zjarri pa leje në banesë. Mësohet se në pranga ka rënë Haki Koka, nipi i ish-ministrit i Mjedisit Lefter Koka.
Gjatë operacionit Policia gjeti dhe sekuestroi në banesën e 29-vjeçarit armën e zjarrit pistoletë dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Goditje të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalibri”.
Mbante armë zjarri, pa leje, në banesë, arrestohet në flagrancë 29-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak.
Në vijim të aksioneve të Policisë, kundër armëmbajtjes pa leje, të bazuara te kontrollet intensive dhe te puna e inteligjencës policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës finalizuan operacionin “Kalibri”. Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi H. K., 29 vjeç, banues në Durrës.
Nga kontrolli në banesën e tij, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që e mbante pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.