Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka sqaruar për mediat në lidhje me procesin e votimit të Bashkinë Himarë se nuk është përgjegjësi e KQZ-së privimi nga e drejta për të votuar për rreth 6 mijë votues, për shkak të kartave të identitetit të skaduara.
Në një deklaratë për mediat nga qendrat e votimit në Himarë, Celibashi u shpreh se në ndyshim nga zgjedhjet vendore të 2023-shit, votuesit janë lejuar të votojnë me ID të skaduara për shkak se është marrë një vendim nga ana e Këshillit të Ministrave nëpërmjet një akti normativ, ndërsa në zgjedhjet e pjesshme në Himarë tha se nuk ka ndodhur kështu.
Kreu i KQZ u shpreh se nga ana e partive politike ka pasur vetëm komunikim informal në lidhje me këtë problematike dhe jo zyrtar, duke shtuar se “duhet të ishte zgjidhur më parë”.
Ilirjan Celibashi, kryetari i KQZ, tha se nuk është përgjegjësi e KQZ-së privimi nga e drejta për të votuar për 6000 votues për shkak të ID të skaduara.
“Një zgjedhës që shkon për të votuar, do të duhet të shikojë dokumentin e identifikimit. Ti po shkon dhe gjëja e parë identifikon se e ke apo nuk e ke mjetin e identifikimit. Votuesit do të duhet të respektojnë kërkesat e ligjit” u shpreh kryetari i KQZ.
Më tej, Celibashi ka thënë se në përgjithësi procesi ka shkuar qetë, teksa ka evidentuar dhe 2 raste ku ka pasur problematika.
“Në përgjithësi, procesi ka shkuar qetë. Ka pasur raste ku janë evidentuar problematika. Ne kemi raportime për një qendër ku ka pasur persona të paautorizuar dhe mbanin shënim personat që hynin për të votuar. Kanë ndërhyrë komisionerët dhe kjo situatë është zgjedhur. Një incident në Lukovë me përfaqësues të mediave që nuk janë lejuar të hynin në qendrat e votimit. Në Shqipëri është e lejuar. Nëse ndonjëri nga komisionerët nuk ndihet komod, i lirë të lërë detyrën. Nëse komisionerët mbajnë këtë qëndrim, do të thotë se kanë llogaritur dhe pasojat” tha Celibashi.