Shqipëri

25 VITE MË PARË/ Shqiptarët i kthehen trenit, favorizon çmimi, 50 për qind më pak se autobusët

Shkruar nga Liberale

25 VITE MË PARË/ Shqiptarët i kthehen trenit, favorizon

Marrë nga gazeta “Koha Jonë” e datës 29 dhjetor 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku

                           Favorizon çmimi, 50 për qind më pak se autobusët

                                             Shqiptarët i kthehen trenit

                                 Më shumë para nga transporti mbi shina

DURRES Linja e hekurt më shumë e frekuentuar nga udhëtarët. Ndërkohë që rezultatet vjetore të Hekurudhës Shqiptare, tregojnë për një rritje të ndjeshme të ardhurash në krahasim me një vit më parë. Njerëzit i kthehen trenit. Pas dëmtimeve të 1997 linja e hekurt duket më e populluar nga udhëtarët. Por gjithashtu ka realizuar edhe një vëllim më të madh transporti mallrash. Një fakt i tillë është vërejtur edhe në një rritje të ndjeshme të të ardhurave që e ka realizuar HSH-ja nga trenat e udhëtarëve dhe nga ato të mallrave, Vitin e kaluar ajo ka realizuar një të ardhur që kap shifrat e 340 milion lekëve, ndër sa në 1997 kjo shifër ka qenë vetëm 252 milion. Nëse në vitin 1997 nga trenat e  udhëtarëve linja e hekurt e realizoi një të ardhur prej 69 milionë lekësh të reja, vitin e kaluar kjo  shifër gati u dyfishua, duke arritur në rreth 114 milion. Në fakt, çmimet e biletave të trenit, janë gati sa gjysma e atyre të automjeteve privatë. Ky fakt ka ndikuar në shtimin e qytetarëve që udhëtojnë me tren. Por HSH shpreson që ky numër të rritet akoma më tepër këtë vit, ndonëse vazhdon të mbetet problem ndriçimi i trenave, por dhe thyerja e xhamave të tyre nëpër stacione. "Ne i vëmë xhamat dhe ato shpesh thyhen nga keqbërësit" shprehin shqetësimin e tyre hekurudhorët, të cilët shpresojnë që ky vit të jetë i mbarë dhe në këtë drejtim. Hekurudhorët tregojnë se një rritje të ndjeshme ka pësuar edhe e ardhurave nga transporti i mallit. Në 1997 nga ky transport janë realizuar 145 milion, ndërsa vitin e kaluar rreth 50 milion lekë më shumë se në 1997. Ndërsa ka patur rritje të ndjeshme të ardhurash, hekurudha mendon që këtë vit të dalë nga klientët e saj tradicionalë në të tjerë, nëpërmjet futjes së spedicionit dhe zbatimit të politikave tarifore efikase në këtë drejtim. Vitin e kaluar HSH nuk ka pasur asnjë detyrim ndaj të tretëve. Në rritjen e të ardhurave sipas financës, ka ndikuar dhe shkurtimi i shpenzimeve. Në financën e Drejtorisë së Hekurudhave thonë se, HSH është menaxhuar mirë dhe tashmë ka një vizion të qartë për të ardhmen.    SH.TELHAJ

Poll
SHQIPENGLISH