Më 29 mars 1925 - vdiq Bajram bej Curri, udhëheqës, politikan; luftoi për pavarësinë e Shqipërisë, dhe më pas, për përfshirjen e Kosovës në të, pasi Traktati i Londrës 1913 e la jashtë ashtu si dhe shumë vise të tjera shqiptare. Curri lindi në Gjakovë 1862. Ka burime që thonë se lindi në Krushë të Madhe, Rahovec. Luajti rol aktiv në kryengritjen shqiptare të vitit 1912, së bashku me Hasan Prishtinën e Isa Boletinin, dhe të tjerë kundër osmanëve.
Në 1915 bashkëthemeloi Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës. Më vonë kjo organizatë vendosi marrëdhënie me Kominternin (Internacionalja Komuniste) që përkrahte idenë për vetëvendosje të kombeve - disa atdhetarë shqiptarë besonin se Rusia bolshevike ishte e prirur për përcaktim të drejtë të kufijve në Ballkan. Pas Kongresit të Lushnjës në vitin 1920, Bajram Curri emërohet ministër pa portofol në qeverinë shqiptare.
Në politikë, ai e identifikoi veten me forcat e Fan Nolit kundër Ahmet Zogut. Në dhjetor 1921, u caktua Ministër i Luftës në qeverinë e Hasan Prishtinës. Brenda ditësh, megjithatë, Zogu e përmbysi qeverinë, duke e detyruar Prishtinën, Currin dhe të tjerët për të tërhiqeshin drejt veriut.
Në mars 1922, Bajram Curri dhe Hasan Prishtina fillojnë një kryengritje kundër Zogut, por pa sukses për shkak të përpjekjeve të ambasadori britanik në Shqipëri, Harry Eyres, i cili bindi një nga komandantët e kryengritësve për t'u dorëzuar.
Dy vjet më vonë, ndërsa qëndronte maleve për t’iu shmangur forcave zogiste, Curri, me thirrjet për të rrëmbyer armët, shënoi fillimin e të ashtuquajturit Revolucion Demokratik – Borgjez, qershor 1924; 6 muaj më vonë, pas disfatës së revolucionit, Curri vazhdoi kundërshtimin me armë ndaj Zogut.
Dhe, më 29 mars 1925 vritet, i rrethuar nga trupat zogiste në një shpellë afër Dragobisë - legjenda thotë se Bajram Curri vrau veten për të mos u kapur gjallë. Vite më vonë Dragobisë iu dha emri i tij - Qyteti Bajram Curri - kryeqendra e rrethit të Tropojës.
Bajram Curri u përjetësua mjeshtërisht nga Fan Noli, përmes vargjeve, pas vdekjes.
Elegji për Bajram Currin
(nga Fan Noli)
Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur' i lirisë.
Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab' e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.
Vendi dridhej, ay mbeti
Se s'tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.
O Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell' e Dragobisë,
Yll i rrall' i burrërisë.
Thon' u-shtri e thon' u-vra,
Po ti s'vdiqe, or Baba,
As te shkëmb' i Dragobisë,
As te zëmr' e Djalërisë.
As je vrar' e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.
Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn' e Shqipërisë
Katakomb' e Dragobisë.