Almarin Domi, një prej 20 infermierëve të cilët janë dërguar nga Shqipëria drejt Italisë në shenjë soldarizimi, si dhe për të ndihmuar në ‘luftën’ kundër virusit vdekjeprurës ka treguar për Report Tv rreth pritjes që iu është bërë pas mbërritjes së tyre.
“Jemi ndjerë shumë mirë. Përkrahja ka qenë diçka e jashtëzakonshme. Përsa më përket mua, unë falenderoj ata që më dhanë mundësi të ndihmojmë. Unë kam jetuar për 15 vite më herët në Itali, kështu që e ndjeja edhe më shumë ta bëja. Nuk pata asnjë lloj hezitimi që të ndihmoja. Nuk hezituam aspak për të bërë një gjë të tillë”, ka thënë infermieri.
Domi shprehet se pas mbërritjes në Itali atij dhe gjithë kolegëve të tij iu është bërë tamponi për të kuptuar nëse janë apo jo të infektuar dhe pas rezultateve nesër në mëngjes pritet të fillojnë punën sipas profilizimit.
“Sot na bënë tamponin për sigurinë e të gjithëve. Nesër në mëngjes do të fillojmë punën sipas profilizimit. Mesa dimë ne, perjudha kohore që do të qëndrojmë aty është deri në 4 javë. Na kanë shpjeguar protokollin e punës, pra çfarë do të bëjmë e si do të punojmë”, ka thënë Domi, duke shtuar se nuk i tremb situata në Lambordi.
Domi ka edhe një mesazh për shqiptarët, kryesisht për të gjithë ata që e kanë marrë më ‘lehtë’ këtë situatë.
“Duhet ta marrin më shumë seç duhet seriozisht. Situata është shumë e komplikmuar. Në Lombardi ku do të punojmë ne ka shumë raste. Vetëm në spitalin ku ne do të japim shërbim ka 670 raste. Personat duhet të ndërgjegjësohen. Vetëm distancimi social është ajo që mund të bëjë diferencën”, ka thënë ai.