Aranit Muraçi
Ka nisur sot, e hënë 18 shtator 2023, Censi i Popullsisë dhe i Banesave. Procesi i rëndësishëm i regjistrimit i financuar nga Bashkimi Europian do të vijojë për 6 javë, ku mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë do të dalin në terren. Sipas drejtoreshës së INSTAT, Elsa Dhuli, janë angazhuar në terren 5240 anketues dhe në total së bashku me monitoruesit numri i personave të angazhuar për Censusin e vitit 2023 shkon në 7500. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censusi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912. Censi i parë i popullsisë së Shqipërisë u krye në vitin 1923.
Pse kanë rëndësi rezultatet e censusit
Institucionet dhe mediat e huaja kur flasin për popullsinë e Shqipërisë i referohen përgjithësisht shifrës zyrtare që doli nga Censusi i vitit 2011. Në mbyllje të Censusit të vitit 2023 të gjithë indikatorët tregojnë rënie të ndjeshme të popullsisë së Shqipërisë. Klasa politike edhe kur të dalë rezultati do të vazhdojë akuzat e ndërsjella, ndërsa përgjegjësia e eksodit të pandalshëm të shqiptarëve do të mbetet “jetime” nëse nuk do të ketë reflektim. E sigurt është se ashtu siç numri i ndërtimeve dhe i banesave është rritur vitet e fundit, nga emigracioni që ka vazhduar me ritme të larta para dhe pas pandemisë, në anën tjetër popullsia ka rënë, por mbetet i pashpjegueshëm fakti sesi në një situatë të tillë të rritet vazhdimisht çmimi dhe qiratë e apartamenteve. Rezultatet e cencusit u vijnë në ndihmë qeverive për vendimmarrjet e duhura, në bazë të analizave që dalin nga të dhënat e popullsisë dhe banesave, ndryshimeve demografike dhe specifikave si etnia, mosha, arsimi, gjinia etj.
Krahasimi me dy censuset e fundit
Bazuar në të dhënat e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, popullsia e Shqipërisë ishte 2,831,741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3,069,275. Numri i popullsisë rezident në territorin e Shqipërisë në vitin 2011 ra me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Supozohet që dy nga shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. Vlerësimi i numrit të personave që kanë refuzuar të bëhen pjesë e censusit është 29,355 (ose 1.04 %). Numri gjithsej i banesave në Shqipëri bazuar në të dhënat e të vitit 2011 është 1,075,881. Në censusin e vitit 2001 numri i banesave ishte 785,515. Përqindja e rritjes së numrit të banesave në krahasim me vitin 2001 ishte 37.0%. Nga të dhënat e censusit të kaluar, numri i ndërtesave është 686,405. Në vitin 2001 ky numër ishte 512,387, që do të thotë se pati një rritje prej 34.0%.
Gjithashtu në këtë census janë numëruar 740,256 njësi ekonomike familjare (Nj.E.F), ndërkohë që në vitin 2001 kjo shifër ka qenë 726,895. Popullsia rezidente në censusin e fundit është e përbërë nga 1,421,810 meshkuj (50.2%)dhe 1,409,931 femra (49.8%). Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri popullsia e cila jeton në zonat urbane rezultoi më e madhe se ajo në zonat rurale. Në Censusin e fundit 53.7% e popullsisë jetonte në zonat urbane dhe 46.3% në zonat rurale. Përqindja e popullsisë urbane, nisur nga ndryshimet demografike që kanë ndodhur gjatë dekadës së fundit, pritet të jetë thelluar karshi asaj rurale.
Historiku i popullatës dhe sfidat
Popullsia e Shqipërisë në vitin 1955, sipas të dhënave të Bankës Botërore, arriti në 1,45 milionë banorë. Gjatë viteve të regjimit komunist, falë politikave specifike që u ndoqën për rritjen e popullatës, Shqipëria në vitin 1990 shkoi në 3.295 milionë banorë. Rënia e lindshmërisë dhe emigracioni pas hapjes së kufijve është shoqëruar me dramën e tkurrjes së vazhdueshme të popullsisë. E ndërsa pritet një rënie tjetër në censusin që sapo ka nisur, Banka Botërore parashikon që popullsia e vendit tonë të vijojë rënien. Në vitin 2050 popullsia e vendit tonë është projektuar të shkojë në 2.4 milionë banorë sipas Bankës Botërore. Një parashikim akoma edhe më pësimist është ai OKB-që në vitin 2100 e projekton popullsinë e Shqipërisë në 1.1 milion banorë.
Problemi i shpopullimit gjatë viteve të tranzicionit ka prekur në fakt të gjithë vendet e rajonit tonë. Trendi i shpopullimit do të vazhdojë të prekë rajonin tonë edhe në të ardhmen, sipas projeksioneve më të besueshme të institucioneve ndërkombëtare, si Banka botërore dhe OKB. Qeveritë e secilit vend që përballen me fenomenin e largimit masiv të të rinjve, duke pasur të dhëna të detajuara nga censusi, u mbetet që të hartojnë politikat e duhura për të frenuar sadopak eksodin me qëllim për ta kthyer vendin e tyre një vend sa më të jetueshëm për qytetarët e saj.
/Liberale.al/