Nga Aranit Muraçi
Të ardhurat totale për 6-mujorin e parë të vitit 2022 u realizuan në masën 279.3 miliardë lekë ose 106 % të planit të 6-mujorit. Siç edhe bëhet e ditur nga ministria e Financave, plani është tejkaluar, ndërsa, krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me 45 miliardë lekë.
Entuziazmit të Delina Ibrahimaj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, se dikasteri që ajo drejton është angazhuar për të ruajtur të gjithë parametrat fiskalë, si dhe ritmin e qëndrueshëm të rritjes së të ardhurave, në një kohë kur BE po harton politika si të përballohet me lehtësi dhe si mund të dilet nga kriza, mund t’i përgjigjet shprehja e famshme, “vjelja e taksave të qytetarëve më shumë sesa është rreptësishtë e nevojshme, quhet ndryshe grabitje ligjore”.
Inflacioni parashikohet të arrijë në 7.6 për qind këtë vit në zonën e euros, sipas Komisionit Evropian – krahasuar me parashikimin e mëparshëm prej 6.1 për qind. Inflacioni, ose ndryshimi i rritjes së çmimeve në një periudhë të caktuar, do të bjerë në 4 për qind në 2023 – ende shumë mbi objektivin prej 2 për qind të Bankës Qendrore Evropiane dhe dukshëm më i lartë se parashikimi prej 2.7 për qind, mbi parashikimin e saj pranveror.
Rritja e prodhimit të brendshëm bruto, ndërkohë, do të jetë më e dobët se sa ishte parashikuar më parë në zonën e euros, në 2.6 për qind këtë vit dhe 1.4 për qind në 2023. Rritja në të gjithë BE-në do të jetë 2.7 për qind këtë vit dhe 1.5 për qind në 2023. E ndërsa BE po ndërton strategji të reja, për të mos rënë në recesion, si për ironi, në vendin tonë i bëhet jehonë “suksesit” të mbledhjes së të ardhurave nga vjelja e taksave, në një kohë kur kriza e rritjes së çmimeve ka kapur nivelet historike dhe kur është e qartë se më pak para në xhepat e konsumatorit do të thotë më pak konsum në të ardhmen, dhe nga rënia e fuqisë blerëse, do të jetë e pashmangshme rënia ekonomike.
A mund të quhet rritje ekonomike rritja e të ardhurave në arkën e shtetit përtej planit, e realizuar kjo vetëm nga mbledhja e taksave? Fundin e ekonomisë së planifikuar, kur flitej nga njëra anë për realizimin e planit mbi 100 për qind dhe nga ana tjetër Shqipëria rrezikonte urinë, e kuptuan të gjithë vitin 1990.
Sipas të dhënave zyrtare, performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 6 – mujore (Janar – Qershor 2022) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.
Sipas ministrisë së Financave të ardhurat totale për 6 – mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 106 % të planit. Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e gjashtë të vitit 2022, arritën në rreth 263 miliard lek me një realizim në masën 88 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë është rezultuar -0.1 për qind më i ulët ose 0.21 milion lek më pak.
Niveli i suficitit për periudhën 6-mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 16.090 miliard lek. Edhe pse periudhë krize, plani i mbledhjes së të ardhurve ka pasur sukses, pasi, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 29.142 miliard lek.
Të ardhurat totale për 6-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 279.3 miliardë Lekë ose 106 % të planit të 6-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me 45 miliard lekë.
[caption id="attachment_1256541" align="alignnone" width="780"] Plani i 6 mujorit të parë 2022 dhe të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)[/caption]
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u realizuan në masën 245.8 miliardë lekë, 42.8 miliardë ose 21.1% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 14.3 miliardë ose 6.2% më shumë se plani 6-mujor për vitin 2022.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 103 miliardë lekë, 18.3 miliardë lekë ose 21.6% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 4.6 miliardë lekë ose 4.7 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 6 mujorin e vitit 2022.
Të ardhurat nga TVSH në import për 6 mujorin rezultojnë 72.5 miliardë lekë, 15.6 miliardë lekë ose 27.4 % më shumë se një vit më parë, si dhe 5.2 miliardë ose 7.8% më shumë se plani për 6 mujorin 2022.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 24.2 miliardë lekë, 1 miliardë lekë ose 4.3% më shumë se viti 2021, si dhe 2.2 miliardë lekë ose 8.4% më pak se plani i akcizës për 6 mujorin 2022.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.3 miliardë lekë, 1.1 miliardë ose 86.3% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 154.4% kundrejt planit.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 3.9 miliard lekë, 584 milionë lekë ose 17.6% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe realizim në masën 126.2% kundrejt planit.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 6 mujorin 2022 u realizuan në masën 142.8 miliardë lekë, 24.5 miliardë ose 20.8% më shumë se 6 mujori i vitit të kaluar, si dhe 9.7 miliardë lekë, ose 7.3% më shumë se plani i 6 mujorit 2022.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 18.6 miliardë lekë, 7.1 miliardë ose 61.9% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 270 milionë ose 1.4% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 6 mujorin 2022. Rimbursimet për periudhën 6 mujore 2022 janë 7.9 miliardë lekë, 7.5 miliardë lekë ose 48.7% më pak se 6 mujori 2021, si dhe 791 milionë lekë ose 9.1% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për 6 mujorin 2022.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 24.9 miliardë lekë, 7.3 miliardë lekë, ose 41.1% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 7 miliardë lekë ose 39.1% më shumë se plani i vitit 2022 për këtë zë.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 21.6 miliardë lekë, 2.5 milardë lekë ose 13% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 405 milionë ose 1.8% më pak se plani i 6 mujorit 2022.
Taksat nacionale, për periudhën 6 mujore 2022 u realizuan në masën 20.7 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 13.6% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 1 miliardë lekë ose 5.1% më shumë se plani i përcaktuar për 6 mujorin 2022.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 57 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 10.1% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe realizim 104.3 % të planit për 6 mujorin 2022.
[caption id="attachment_1256543" align="alignnone" width="791"] Shpenzimet korrente dhe kapitale Plani dhe situata aktuale (në milionë Lekë)[/caption]
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 6 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 263.2 miliard lek me një realizim në masën 88 përqind të planit të periudhës ndërkohë që, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 213 milion lek më pak. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 6 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 41 për qind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe planit vjetor.
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 6 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98 për qind dhe 71 për qind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 45 për qind dhe 24 për qind të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 45 për qind dhe 27 për qind të planit vjetor.
Shpenzimet korente për periudhën 6 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 226.3 miliard lek, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 4.6 për qind më i lartë ose rreth 9.9 miliard lek më shumë.
Shpenzimet kapitale për periudhën 6 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 29 miliard lek. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 37.8 për qind më i ulët ose rreth 17.65 miliard LEK më pak.
Niveli i suficitit për periudhën 6 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 16.1 miliard lek nga rreth 33.47 miliard lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 29.14 miliard lek, për periudhën 6 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.
Një shprehje e mençur thotë se institucionet qeverisëse zakonisht kalojnë në tri faza, faza e përfitimit politik, faza e privilegjit dhe faza e abuzimit. Institucionet tona duket se, pavarësisht periudhës së krizës, kanë kaluar dhe ndodhet tek faza e fundit. /Liberale.al/
[caption id="attachment_1256544" align="alignnone" width="809"] Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt (në milion Lekë)[/caption]