Globi

SHIFRA E DITËS: 18 vitet e pritjes së Turqisë për në BE dhe shpresat e Shqipërisë për një 'anëtarësim më të shpejtë'

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 18 vitet e pritjes së Turqisë për në BE

Aranit Muraçi

Shqipëria edhe pse mund të mos i plotësonte kushtet, u bë anëtare e NATO-s, ashtu siç janë vende anëtare të NATO-s edhe Turqia e Greqia. Ndërsa për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian duket sikur për vendet e tjera aspirantë pengesë kryesore është vetë Bashkimi Europian.

Mesazhi politik në Slloveni

Udhëheqësit ballkanikë kritikuan objektivin e Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel për 2030 mbi zgjerimin e BE-së. Vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor, për në BE, akuzuan institucionet e Brukselit për ndryshimin e objektivave si dhe shprehën një sërë shqetësimesh mbi afatin kohor të përcaktuar nga zyrtarët e lartë të Brukselit.

Duke folur në forumin e  Bled, në Slloveni, të hënën, shefi i Këshillit tregoi se BE duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj në vitin 2030, në një përpjekje për të ringjallur debatin e zgjerimit të BE-së. Por fjalët e tij nuk u pritën mirë nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioni Evropian, i cili refuzoi të mbështeste objektivin.

Kryeministri shqiptar Edi Rama shprehu dyshime se vendi ynë do të jetë gati për t'u bashkuar deri në vitin 2030 – dhe për këtë ia hodhi fajin Brukselit. “Nuk duhet të ketë vetëm reforma dhe kritika që janë të nevojshme, por edhe mbështetje më konsekuente, dhe nuk po flas vetëm nga pikëpamja financiare, por edhe aksesi në treg i sipërmarrjeve tona”, tha kreu i qeverisë shqiptare, duke nënvizuar se BE-ja ka mbetur prapa SHBA-së dhe Kinës, në mbështetjen e saj financiare për infrastrukturën në rajon.

Disa vende të Ballkanit kanë qenë kandidate për në BE prej vitesh, duke shkaktuar shqetësime në rajon se Brukseli nuk dëshiron që ata të bashkohen me pjesën tjetër. Por lufta e Rusisë në Ukrainë ka ringjallur debatin dhe ka shtuar perspektivën e zgjerimit, e cila do të diskutohet nga liderët e BE-së gjatë muajit tetor, në një mbledhje jozyrtare në Spanjë.

Duke folur në Bled, edhe kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç akuzoi BE-në për zhvendosje të objektivave parësorë si dhe zvarritjen e zgjerimit të BE-së.

“Arsyeja e parë është se procesi po zgjat kaq shumë dhe duket sikur jemi në një horizont pa fund. E dyta është se kriteret ose çfarë duhet të bëjmë për të përparuar ndryshojnë vazhdimisht,” tha ajo.

Edhe homologu i saj malazez Dritan Abazovic kritikoi BE-në për mosmbajtjen e premtimeve të saj në lidhje me Ballkanin Perëndimor.  Nuk është e drejtë që të na kërkohet të bëjmë diçka, dhe më pas, pasi e realizojmë atë, ata thonë: “Kjo është mirë, por tani nuk është momenti. 2030 është shumë larg për ne”, tha Abazovic, duke iu referuar objektivit të Charles Michel.

Në fakt, nuk ka një afat dhe as ndonjë standard, çka do të thotë se vendimi i zgjerimit do të jetë politik. Si i tillë ai do të varet nga politika, që do të thotë se ajo mund të ndryshojë. Asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i plotëson standardet e zhvillimit dhe të përparimit të qytetërimit perëndimor dhe as nuk besohet se mund t’i plotësojë ato.

Nëse do të ekzistonte i njëjti vullnet politik si i SHBA-ve edhe nga Bashkimi Europian, Shqipëria dhe shumë vende të tjera do të ishin sot pjesë e bllokut. Mund të jenë shumë ata të cilët mendojnë se nuk janë përmbushur kriteret e pranimit nga vendet kandidate. Por sipas kësaj logjike, Shqipëria sado përpjekje që të bëjë, nga ana e saj, nuk do t’i arrijë asnjëherë standardet e një vendi tjetër, si për shembull Suedia, dhe kështu që politikisht oferta nëse do të mungojë vullneti i zgjerimit mund të mbetet përgjithmonë “e vdekur”. E njëjta logjikë vlen edhe për vendet e tjera kandidate të rajonit.

Bisedimet e anëtarësimit në BE varen nga një sërë parimesh, të njohura si kriteret politike të Kopenhagës, të tilla si respektimi i të drejtave të njeriut, demokraci dhe institucione që funksionojnë mirë dhe shteti i së drejtës i garantuar përmes gjykatave të lira dhe të pavarura. Këto shihen si “gurët e themelit” për anëtarësimin e vendeve të tjera në bllokun prej 27 anëtarësh. Por më shumë sesa standardet dhe reformat e pretenduara, në sfond dukshëm qëndron mungesa e vullnetit politik nga vetë BE, për zgjerim.

Më pak progres, ose më të vonuara në proces nga vendet kandidate kanë bërë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, të cilat i kanë çelur negociatat dhe Kosova e Bosnje Hercegovina, të gjitha vende ballkanase me popullsi myslimane dhe që shihen për këtë arsye, ashtu si edhe Turqia, si më larg “kulturës europiane”.

Shembulli i Turqisë

Kthesa befasuese e Turqisë që zhbllokoi ofertën e Suedisë për anëtarësimin në NATO tregoi se e ardhmja në BE varet nga vullneti gjeopolitik. Me këtë lëvizje Presidenti Rexhep Tajip Erdogan duket se ka “ringjallur” marrëdhëniet e ndërlikuara të vendit të tij me Bashkimin Evropian, çka do të thotë se zvarritja më shumë se nga mos-përmbushja e standardeve lidhet me mungesën e vullnetit politik.

Në një takim të së kaluar mes Presidentit turk Erdogan dhe Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, u ra dakord që BE dhe Turqia të fokusohen në migracionin dhe refugjatët, lidhjet ekonomike dhe perspektivën e udhëtimit pa viza në BE për turqit, tha një zyrtar i lartë i BE-së. Diplomatët e BE besojnë se Turqia ka shumë pak gjasa që të bashkohet me BE-në edhe për disa vite, sepse pretendohet prej tyre se standardet e vendit që udhëhiqet nga Erdogan për sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut janë përkeqësuar vitet e fundit.

Marrëdhëniet armiqësore të Turqisë me fqinjët e saj Greqinë dhe Qipron, të dyja anëtare të BE-së, janë një tjetër problem i madh. Ndërsa të dyja vendet janë anëtarë të NATO-s, zyrtarët turq, duke përfshirë edhe vetë zotin Erdogan, shpesh vënë në dyshim kufijtë e tyre të përbashkët dhe thonë se Turqia ka të drejtë për më shumë territor, çka ka shtuar zemërimin e Greqisë.

Turqia është zyrtarisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, status të cilin e ka fituar prej dy dekadave. Procesi praktikisht u ngri në vitin 2018, duke çimentuar një lloj statusi të lirë midis bllokut dhe fqinjit të saj më të madh në lindje. Shumica e vendeve të BE-së e konsiderojnë ofertën e Turqisë për anëtarësim në BE, si të vdekur.

Turqia aplikoi për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian në 1987; asaj iu dha statusi i kandidatit në 1999 dhe filloi negociatat për t'u anëtarësuar në vitin 2005. Bisedimet për pranimin në BE zakonisht janë të gjata, mesatarisht zgjasin rreth 10 vjet. Në rastin e Turqisë ato kanë vazhduar zyrtarisht për 18 vjet, megjithëse janë pezulluar praktikisht për pesë vjet. Pritja e gjatë e Turqisë e bën edhe më të ndërlikuar të ardhmen e vendeve të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë si dhe perspektivën e vetë Bashkimit Europian.

Dalja e Britanisë së Madhe e ka bërë edhe më të paqëndrueshëm të ardhmen e Bashkimit Europian, ndërkohë që vende të zhvilluara si Islanda, Lihhtenshtain, Norvegjia dhe Zvicra janë në zonën Shengen por kanë vendosur të mos jenë me dëshirën e tyre  anëtare të Bashkimit Europian. Në turbullirat dhe trazirat e brendshme të secilit shtet anëtar të BE-së, mbi debatet dhe të ardhmen gjithmonë e më të pasigurt në Bashkimin Europian, oferta më e mirë për vendet kandidate si Shqipëria, që pritën një dekadë për çeljen e negociatave, do të ishte që të ndërtonin të ardhmen e “BE” brenda vendit të tyre. Ashtu si Britania, Zvicra dhe Norvegjia që e kanë ndërtuar, madje e kanë tejkaluar dhe kanë vendosur të qëndrojnë jashtë Bashkimit Europian.

 

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH