Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 11 milionë turistë vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2022, sa prej tyre do të rikthehen sërish?

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 11 milionë turistë vizituan Shqipërinë

Aranit Muraçi

Ndërkohë që turistët e huaj gjatë viteve të fundit po zbulojnë Shqipërinë, vendi ynë përjeton një problem demografik, pasojat e të cilit po japin efekte negative në ekonomi, ashtu si edhe në perspektivat e zhvillimit. Shqipëria ka regjistruar nivelin më të ulët historik të lindjeve gjatë dekadës së fundit. Në të njëjtën periudhë, rreth 700,000 njerëz vlerësohet se kanë braktisur vendin, duke e çuar totalin e të larguarve që nga rënia e komunizmit, në më shumë se 1.4 milion.

Ata që largohen nga Shqipëria janë kryesisht të rinj, ndër më aktivët për punë dhe më të arsimuarit, për të mos thënë edhe më të talentuarit, të cilët kërkojnë atë që ata e perceptojnë si mundësi më të mirë pune dhe karriere jashtë vendit të tyre. Të tjerë kërkojnë azil në vendet më të zhvilluara, si në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Itali etj.

Ndërsa Shqipëria përpiqet të vendosë emrin e saj në hartat e botës, si një destinacion i lakmueshëm turistik, bizneset që merren me turizmin po hasin vështirësi të shumta nga mungesa e fuqisë punëtore. Mbi gjysma e tyre thonë se mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në problemin kryesor, sipas një sondazhi të fundit të publikuar nga UNDP (Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara).

Nga të anketuarit e sondazhit të PNUD, kryer në vjeshtën e vitit 2022, 56% besojnë se mungesa e fuqisë punëtore është problemi kryesor që pengon zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa 26% e shohin mungesën e aftësive të punonjësve si një problem më të madh.

Sondazhi vjen në një kohë, kur Shqipëria u rendit nga Organizata Botërore e Turizmit, si një nga vendet me rimëkëmbjen më të mirë të turizmit pas pandemisë COVID-19, si për sa i përket numrit ashtu edhe të ardhurave të siguruara nga turizmi, që i tejkaluan ndjeshëm nivelet para COVID-19.

Një çështje tjetër problematike e identifikuar nga raporti i UNDP-së ishte mungesa e infrastrukturës për të mbështetur lëvizjen e shpejtë dhe të lehtë të turistëve. Kjo do të thotë që hotelet dhe resortet luksoze konkurrojnë në tregun vendas dhe më gjerë, në atë rajonal, për të tërhequr sa më tepër turistë, dhe kur ata e arrijnë qëllimin, nuk i kënaqin dot me insfrastrukturën që afron mjedisi jashtë ambjentit të tyre, sikurse nuk gjejnë as staf të mjaftueshëm dhe të kualifikuar për t'iu shërbyer sipas kërkesave dhe nivelit të klientelës që tërheqin.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, instituti i statistikave, mbi 11 milionë turistë vizituan vendin tonë në vitin 2022, megjithëse shumë prej tyre ka të ngjarë të ishin emigrantë dhe shqiptarë nga diaspora, të cilët ikin dhe vijnë gjatë vitit - dhe jo turistë. Gjithsesi, pati një fluks të qëndrueshëm turistësh gjatë gjithë vitit, edhe jashtë sezonit tradicional të turizmit. Sipas shifrave zyrtare, mbi 808,000 njerëz vizituan Shqipërinë vetëm në muajin nëntor.

Një problematikë tjetër që lidhet me shërbimin dhe infrastrukturën është se shumica e turistëve të huaj të cilët e vizitojnë një herë Shqipërinë nuk kthehen më për të vizituar atë. Ndodh e kundërta me vendet fqinje, çka do të thotë se turizmi shqiptar mund të vuajë edhe pasojat e mos-krijimit të “klientelës së besueshme”.

Sa i përket nacionaliteteve që kanë më shumë gjasa të vizitojnë Shqipërinë, turistët spanjollë dhe më pas ata britanikë kryesonin listën, duke lënë pas polakët dhe evropianët e tjerë të Evropës Lindore, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme.

Aktualisht në Shqipëri turizmi është sektori me rritjen dhe zhvillimin më të madh dhe i dyti më i rëndësishëm i ekonomisë sonë, pas bujqësisë. Para se të gjejmë kohë dhe të mburremi mbi rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve dhe para se edhe turistët që po vijnë të na braktisin në një të ardhme, ndoshta të zhgënjyer nga infrastruktura dhe shërbimi, ashtu siç nuk po ndalim dot eksodin e shqiptarëve, a ka ndonjë plan ambicjoz qeveria shqiptare për të përballuar sfidat e së ardhmes?

/Liberale.al/

 

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH