Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 10 mijë dollarë i falet çdo studenti borxhli në SHBA (çfarë mësimesh nxjerr Shqipëria nga bota e zhvilluar)

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

President Joe Biden u ka falur 43 milionë amerikanëve një borxh prej 10 mijë dollarësh, të cilin ata e kanë marrë hua nga bankat e nivelit të dytë, për të ndjekur shkollën e lartë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, përmes një njoftimi, nisur nga kriza e fundit e çmimeve, por edhe sipas një premtimi që ai kishte dhënë gjatë fushatës elektorale, mori vendimin për t’iu falur borxhin e shkollës dhjetëra milionë studentëve apo ish-studentëve.

Në SHBA, shteti del garant për borxhin e studentëve me qëllim që ata të mos pengohen në edukim.  Çdo qytetar që fiton të drejtën e studimit, automatikisht fiton të drejtën të marrë hua në banka për të ndjekur të gjitha vitet e studimit të shkollës së lartë, si për të mbuluar tarifat ashtu edhe shpenzimet e tjera të nevojshme. Një borxh i tillë mund të shlyhet prej tyre me këste, vetëm kur ata dalin në tregun e punës. Që do të thotë se thuajse të gjithë amerikanët që mbarojnë arsimin e lartë e nisën karrierën si borxhlinj ndaj shtetit. Ka shumë prej tyre, të cilët nuk e gjejnë si duhet veten në tregun e punës, duke i mbetur kështu borxh bankave dhe shtetit për një kohë të gjatë.

Biden pas vendimit të sotëm tha se deri në 43 milionë huamarrës (studentë ose ish-studentë) mund të përfitojnë nga plani i lehtësimit të borxhit të kredisë studentore të Administratës së tij. Gati për 45% të studentëve mund të anulohen plotësisht kreditë. Nuk janë pak por rreth 20 milionë amerikanë. Vendimi vjen pas më shumë se një viti debatesh intensive të Shtëpisë së Bardhë. Disa nga drejtuesit Demokratë i kërkuan Biden të përdorte fuqinë e tij ekzekutive për të fshirë borxhet e studentëve borxhlinj deri në 50,000 dollarë. Anulimi i huasë prej 10,000 dollarësh për çdo student huamarrës do t'i kushtojë qeverisë federale rreth 300 miliardë dollarë, sipas një llogaritjeje nga Universiteti i Pensilvanisë.

Sigurisht, SHBA nuk mund të krahasohet me Shqipërinë, as si superfuqi, as në demokraci, në arsim, dhe në asnjë fushë tjetër. SHBA ndjek një politikë më favorizuese se të gjitha vendet e tjera të zhvilluara, edhe pse ato përpiqen të ndjekin të njëjtin model, që favorizon çdo qytetar pa dallim të arsimohet pa u privuar nga kjo e drejtë universale, nëse ai dhe familja e tij nuk i kanë të ardhurat e mjaftueshme për përballimin e kostove të  arsimit të lartë. Në terma afatgjatë, individi zhvillohet dhe fiton ekspertizën që i duhet para se të dalë në tregun e punës, ashtu edhe e tëra shoqëria, për të përballuar me sukses sfidat e jetës. Studime të shumta ekonomike kanë treguar se investimi në arsim vlerësohet si investimi më i mirë për një shoqëri që kërkon zhvillim dhe është kjo një ndër arsyet kryesore se pse SHBA bën diferencën me të tjerët.

Në Shqipëri, që kur u hap universiteti i parë dhe deri në vitet ’90 shkolla e lartë organizohej sipas një plani të mirë-planifikuar shtetëror. Duke qenë se sistemi komunist zhduku pronën private, shpenzimet e studentit i mbulonte shteti. Në 30 vite tranzicion, nuk ka pasur asnjë vizion qeveritar që të gjejë një zgjidhje sesi mund t’i vijë në ndihmë studentit nga ana financiare, kur ai ose familja e tij nuk i përballojnë dot shpenzimet e arsimit të lartë.

Në vitin 2021, sipas të dhënave të fundit që janë bërë publike nga INSTAT, në auditorët e universiteteve shqiptare kishte rreth 124 mijë studentë. Edhe pse afro 20 mijë studentë pritet të ulen për herë të parë këtë vit akademik në auditorë, numri i studenteve gjatë viteve të fundit ka pësuar tkurrje për shkaqe kryesisht që lidhen me rënien e numrit të lindjeve, emigracionin, apo plakjen e popullsisë.

Si të mos mjaftonin të tilla problematika, ka munguar dhe vazhdon të mungojë  një vizion i qartë i politikave që duhen ndjekur për arsimin, në vendin tonë. Studentët shqiptarë, që në ditën e parë kur e nisin dhe deri në ditën e fundit kur e mbarojnë arsimin e lartë, u duhet që t’i dalin për “zot vetes”.  Kuotat për të ndjekur shkollën, shpenzimet e ditës dhe deri tek qiraja që duhet paguar për studentët që vijnë në Tiranë, janë barrë e rëndë për çdo njërin prej tyre, i mbetur shpesh “jetim”, sepse disa vendeve i mungon vizioni i duhur për arsim.   /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

A është opozita më e besueshme sesa qeveria në betejën më të fundit për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH