Editorial

SHBA - Kina: Taivani dhe rreziqet e pashikuara

Shkruar nga Liberale
SHBA - Kina: Taivani dhe rreziqet e pashikuara

Nga GIUSEPPE SARCINA

Dalja e prerë e Joe Biden-it mbi Taivanin ka shkaktuar kundërveprimin e ashpër të Pekinit, por ka befasuar edhe politikën amerikane dhe bashkësinë ndërkombëtare. Të enjten në mbrëmje presidenti mori pjesë në një takim me publikun, t’organizuar nga CNN në Baltimorë. Tema kryesore ishte veprimi ekonomik, në vështirësi në Kongres. Por mjaftoi pyetja e një studenti të Connecticut për të urdhëruar titujt e hapjeve të mediave amerikane. “President, çfarë do të bënit nëse Kina do të sulmonte Taivanin? A do të urdhëronit një veprim ushtarak?” Biden-i u përgjigj dy herë “po”, duke shpieguar: “Kemi marrë një zotim të shenjtë për të mbrojtur Taivanin”.

Vjen e natyrshme pyetja nëse udhëheqësi amerikan e bëri këtë deklaratë qëllimisht apo, thjesht, qe një gabim, një rrëshqitje komunikimi. Anojmë më shumë në këtë hamëndjen e fundit, edhe sepse pikërisht dje më parë Shtëpia e Bardhë e më pas Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u nxituan t’i hiqnin nervin fjalëve të Biden-it: “Qëndrimi i ynë mbi Taivanin nuk është ndryshuar. Jemi për status quo”.

Pastaj është brendia. Kjo Administratë e ka bërë marrëdhënien me Kinën një element përcaktues jo vetëm për politikën e jashtëme, por edhe për përcaktimin e vetë identitetit politik të brëndshëm, të vetë “misionit historik”. Amerika duhet të zbatojë reforma rrënjësore për të mbajtur hapin me kundërshtarin e madh aziatik.

Në këtë kuadër futet “dosieri Taivan”, për dhjetëvjeçarë një vullkan i shuar në barazpeshat botërore: kushti ideal për të gjithë presidentët amerikanë, përfshirë edhe këtë të sotmin. Por Biden-i duhet të bëjë llogaritë me synimet e planet e Xi Jinping-ut. Presidenti kinez është i vendosur t’a risjellë Ishullin rebel nën zotërimin e Pekinit.

Washingtoni është në siklet e ky siklet dalngadalë po shndërrohet në vështirësi politike. Në këto nëntë muaj Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit janë orvatur të bindin presidentin kinez për të hapur një bisedim të përgjithshëm, për të vërtetuar, qoftë edhe nëpërmjet mënjanimit të argumentave, se mbi çfarë temash mund të ketë një marrëveshje. Lista është e gjatë: ndryshimet klimatike, pandemia, cyber security, terrorizmi ndërkombëtar. Por shenjat janë kundërthënëse. Nga një anë (15 shtator) amerikanët lajmërojnë një marrëveshje edhe ushtarake me Australinë dhe Mbretërinë e Bashkuar (Aukus). Nga ana tjetër (22 shtator) Biden-i shfaqet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara e deklaron solemnisht se ”nuk don një luftë të ftohtë me Pekinin”. Në ditët e para të tetorit Xi Jinping-u dërgon 156 aeroplanë gjuajtës për të mbikqyrur hapësirën ajrore ngjitur me Taivanin. Dhe ja pardje, me daljen e Biden-it dhe fjalën në Kongres të Nicolas Burns-it, i emëruar ambasador në Pekin. Burns-i tha se duhet t’i jepet “mbulesë bërthamore Taivanit”, duke shtuar se Kina “është rreziku numër një” për Amerikën.

Problemi i vërtetë është se qëndrimi tradicional i Shteteve të Bashkuara mbi dosierin Taivan – Kinë mbështetet mbi baza historike tashmë të tejkaluara. SHBA kanë njohur Republikën popullore kineze më 1979. Në të njëjtin vit lindi “doktrina e dykuptimësisë strategjike”, e ngulitur në një ligj që parashikon, veç të tjerave, furnizimet me armë e mbrojtjen e Ishullit. Strategjia e Xi jinping-ut ve në krizë këtë skemë, sepse, së fundi detyron Washingtonin të zgjedhë ndërmjet mbrojtjes së Taivanit dhe luftës pak a shumë “të ftohtë” me Kinën.

Në Baltimorë presidenti amerikan qe i “prerë”. Por ekonomia, politika dhe udhëheqja ushtarake nuk janë të thukët. Taipei është sigurisht themelor për sistemin prodhues. Me koreanët e Samsungut është furnizuesi kryesor i gjysëmpërçuesve, thelbësorë për zbatimet elektronike të përdorura nga industritë kryesore të kompiuterëve e të automobilëve. Veç asaj Taivani është tregu i dhjetë për eksportimet e SHBA. Megjithatë është e pamendueshme për ndërmarrjet amerikane të heqin dorë nga gjithshka përfaqëson Kina, në terma tregu dhe shpërnguljeje të prodhimit. Lobet industrialë, pra mbrojnë gjëndjen e tanishme e sigurisht nuk kanë çmuar përgjigjen e Biden-it. Shumë të matur edhe gjeneralët e Pentagonit, qoftë duke ruajtur gadishmërinë në bazat e zonës, në Okinava e në Guam.

Një shtysë e ndryshme vjen nga Kongresi, ku po rritet rryma që kërkon të thyejë dykuptimësinë, duke përfunduar një traktat të vërtetë ekonomik me Taivanin, duke përforcuar edhe praninë ushtarake. Gjithshka e përmbajtur në një projekt-ligj të paraqitur në 25 mars 2021 nga senatori republikan Marco Rubio, i vështruar me interes nga disa demokratë, si senatori Ed Markey. Ky rrjeshtim mëton të përfaqësojë shumicën e opinionit publik dhe përmend në vzhdimësi hulumtimin e kryer në gusht nga Chicago Council on Global Affairs që, për të parën herë, shënon se shumica e amerikanëve (52 %) është në dobi të një veprimi t’armatosur për të mbrojtur Taivanin. Por pëvoja na mëson të mos u besojmë zbulimeve të përcjella në të ftohtë. Humoret, kundërveprimet mund të ndryshojnë me shpejtësi kur lufta bëhet e vërtetë.

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH