Kryesore

Sex and Violence, melody and silence/ Dityramb për Zotin e Rock

               Publikuar në : 10:32 - 05/07/21 Loer Kume

Loer Kume


“… ja pse poezia më thërret kaq shumë. Sepse është e përjetshme. Për sa kohë ka njerëz, ata do mbajnë mend fjalët dhe kombinimet e fjalëve. Asgjë tjetër nuk mund t’i mbijetojë një holocausti bërthamor veç poezive dhe këngëve. Asnjëri s’mund të mbajë mend një roman të tërë. Asnjëri s’mund të përshkruajë një film, një skulpturë, një pikturë. Po për sa kohë ka qënie njerëzore, këngët dhe poezia do vazhdojnë.”

Janis Joplin rrëfen që Paul Rothchild, producenti i të dy atyre, e prezantoi me personazhin në një festë, duke menduar që djalit duhej t’i rregullonte shijet me një femër të staturës së tij, dhe asaj t’i prezantonte një mashkull mjaftueshëm të çmendur e të fortë për të.
Ai u afrua, tregon Joplin, ishte i ëmbël, simpatik, i kulturuar, delikat, dhe shumë i ndrojtur. Po më pëlqente vërtet, e po mendoja të dilja me të. Pas një ore, e shumë gotash, ai u bë agresiv, fjalaman, i rrëmbyer, pusher, ngacmues, tentoi shumë fort në drejtim tim, deri sa i thashë më rri larg, dhe i them Rothchild të më shoqëronte jashtë feste. Ai më ndjek pas, e qëlloj, zhduku i them. Kjo është femra që më pëlqen thotë ai, e unë futem në makinë, ai varet pas makine, e zvarritej nga pas duke qeshur e bërë si i çmendur. Kaq. Nuk mund të isha kurrë me një person të tillë.

Pati Smith në epokën e urisë, shëtiste bashkë me Robert Mapplethorpe nëpër festa, ku shkonin veç për të ngrënë, e pasi ngopeshin mbushnin çanta për t’i marrë me vete. Ndërsa po mbushja qesen fshehtas duke parë majtas-djathtas, po ndihesha e kënaqur, e ngopur dhe e fshehtë, kur dëgjoj një zë. “Pse nuk merr dhe nga këto?” Kthej kokën e shoh një tip me flokë të gjata ulur në një kolltuk, i zdriluar, veçmas të tjerëve, në qetësi nga rrëmuja e festës, që më tregon me një fytyrë të argëtuar e me një zë pa ngjyrë e pa intonacion, ca pjata që nuk i kisha parë diku aty. E falënderoj, marr pjatat i hedh në qese, dhe ia mbath me të shpejtë nga festa. Pas pak u ndërgjegjësova që festa ishte e grupit, dhe ai që më foli ishte Morrison vetë.
Është bindja ime më e madhe, se kriteri kryesor, atributi i parë i Zotit, është mosqenia e tij. Ndaj, ky është një shkrim për atë që, si dje 50 vjet më parë, vdiq, kaloi në mosqenie, përtej portave, kalëroi gjarprin e madh, për t’u kthyer në zotin absolut të rockut. James Douglas Morrison, Jim, Jimbo. Mr. Mojo Risin.

Të dy dëshmitë më sipër shprehin qartë personalitetin e çuditshëm e plot me kënde, kthesa e dritëhije të personazhit në fjalë. I ëmbël, i egër, i çmendur, i veçuar.
Jim Morrison lindi një një familje ushtaraku me një disiplinë të fortë e rregulla të egra, (për të kuptuar, pasi u kandis nga vëllai a e motra, pas suksesit, të telefononte në shtëpi, mamaja e përgëzon, e mbështet, vetëm babai ka një porosi për ty i thotë – të lutet të presësh flokët. Pas kësaj, ai nuk foli më përfundimisht me Admiral Morrison e familjen.)  Shpërtheu si këngëtari që ndryshoi shfaqen, dhe mënyrën e të krijuarit muzikë, dhe vdiq si poet e u varros ne Pere Lachaise në Paris.

Morrison, transformimi i parë, rockstari i parë që ndryshon lëkurët, gjarpri, i kudogjendur në tekstet e poezitë e tij. Një djalosh i vogël, 18 vjeçar, endacak në plazhet e Venice Beach, braktis shkollën e regjisë, dhe pasi takohet një ditë me Rey Manzarek e flasin për muzikë, pas këtij momenti lindin The Doors.
Morrison nuk ishte muzikant. Nuk ishte këngëtar. Nuk kishte kënduar kurrë në jetë të tij. Nuk kishte kulturë muzikore. Ai thjesht kishte një koncert në kokë. Dhe ka 60 vjet, që bota dëgjon koncertin e tij.
Morrison është singularitet, pjellë e rrethanave, rreptësi në familje, kulturë, libra, lexime, Blues, indianë, shamanë, kultura tribale, ekzistencializëm, beat generation, Bob Dylan, Beatles, poetë të mallkuar, Rimbaud e Bodlaire, rock n’roll vdiq, diçka tjetër do krijojmë, udhëtime mendore, drogë, Huxley, Bergson, Sartre, William Blake, e në djall të gjitha, alkool, bare, femra, seks, dhe vdekje.
Nisa të shkruaja kur isha 6 vjeç, vjershat e para. Pastaj ndodhi fëmijëria. E në djall poezia. Deri në vit të parë gjimnaz, kur dëgjoj Roadhouse Blues. Një blues rock i bukur, por më shumë se kaq. Më shumë se muzikë. Sapo mendon se po dëgjon një këngë pijanecësh që tregon udhëtimin në kërkim të gotës e femrës së radhës, vjen fraza e çmendur, “the future is uncertain and the end is always near”.
Flasim për të ardhme, për fund, për vdekje. Këtu ka diçka që nuk është vetëm rock e kaq, është më tepër. Po çfarë?

Dhe nis të gërmoj The Doors. Dhe zbuloj The End. Dhe që nga ai moment, asgjë nuk ishte më njësoj. Butonat e mi u shtypën, thellë diku në erresirën e brendshme, digat u thyen, dhe gjithçka që ka të bëjë me artin e krijimin, shpërtheu egërsisht.
Nuk më bëri përshtypje kurresesi “father I want to kill you, mother I want to fuck you”. Ishte referencë shumë eksplicite e Frojdit, për shijet e mia. Por, tingujt, figurat, metaforat, zëri, mistika, udhëtimi në vetvete.
Dhe ky ishte momenti, kur unë nisa të rishkruaja. Tekste këngësh, poezi, natën, në errësirë, me ndonjë gotë të fshehtë, me ndonjë cigare të fshehtë ne ballkon.
Engjëlli i ferrit. Po. Morrison i mësoi tërë brezave, që muzika nuk ishte më rock n’roll për t’u kërcyer; nuk ishte më argëtim, por diçka më shumë. Një çekiç që të godet e të ndryshon jetën. E pastaj vdes.
Një këngëtar i ëmbël, një dashurues, një djalë emocional, një djall, zëri demoniak, spërdredhjet në skenë, mistika, seksualiteti, droga, mospërmbajtja, thyerja e rregullave, dalja nga kontrolli, zjarre, fluturime, e pastaj shamanizëm, shkretëtirë, natyrë, një Dionis endacak që shtrydh rrushin e bën verë, nën pemë, nëpër pyje, që shtrydh gjinjtë e bën dashuri. Një intelektual që jep mendime të thella, të kulturuara, që flet e ngre polemika me gazetarët. E sapo dikush mendon se kemi një entertainer të mrekullueshëm amerikan, Morrison djeg skena e nxjerr penisin turmës, zihet me policët, arrestohet në skenë, e gjërat bëhen të komplikuara. Alkooli e nxjerr nga loja, s mban mend tekstet, i bie të fikët në skenë, e loja është duke u prishur. Shteti Amerikan, shoqëria puritane amerikane, biznesi i argëtimit nuk e përtypin dot një krijesë të tillë të zotëruar nga djalli.

Asgjë e tillë më parë nuk kishte ngjarë. Më pas, Ozzy, Led Zeppelin, Aerosmith, Motley Cru, Queen, Guns n’Roses kanë bërë jetë vërtet të çmendur, ekseset janë të pafundme, librat nuk i mbajnë çmenduritë e rockstarëve, por… por, të tërë çka erdhën më pas ishin kafshuar në qafë nga Morrison, nga vampiri origjinal. Thelbi, ai thelbi i errët pulsues i të tërëve ne, kur gjithçka shkon mirë, kur struktura është e plotë, kur jeta është brilante, ai thelbi i errët, humnera, thërret, dhe askush nuk ka këllqe ta përqafojë si Morrison. Obsesiv për vdekjen, mistikën e saj, një pjellë e portave të Hadit dhe festës së Dionisit, ai thërret në humnerë, e humnera i bën eko. Askush më pas, kaq ndërgjegjshëm nuk ka bërë diçka të tillë.
Morrison vdiq 27 vjeç. Rrethanat e vdekjes janë ende okulte. 12 vjet më i vogël se unë tashmë. Dikur ishte idhulli im. Më pas e vrava. E përbuza. Unë nuk besoj në njerëzit që vdesin. Në njerëzit që nuk fitojnë kontrollin mbi botën dhe jetën. Më pas fitova sigurinë time, u rrita dhe u pajtova me Morrison. Secili jetën dhe vdekjen e tij. Por pakkush më ka mësuar të jem ky që jam, si Morrison e ka bërë. Jim nuk ishte muzikant, nuk ishte shkrimtar, nuk ishte regjizor, nuk ishte këngëtar, nuk ishte rockstar, nuk ishte pijanec ordiner që zhgërryhej bareve të dorës së fundit, nuk ishte drogaxhiu heroinoman, nuk ishte poeti, seks simboli, dashuruesi, nuk ishte asgjë. Ishte njeri i zakonshëm, që bëri atë që deshi, që arriti të bënte gjithçka, e jetoi jetën në tërë fuqinë, me tërë motorët ndezur. Derisa u dogj plotësisht.

Ndaj, titulli i shkrimit, marrë nga kënga e The Verve, është saktësisht ajo çka Jim ishte e ne të tërë jemi, e pranojmë apo jo; seks dhe dhunë, melodi dhe heshtje. Këto janë katër përbërësit e krijimit. Qoftë ky, fëmijë i ri apo libër i ri, apo çdo formë e re që lind. I imi dhe i joti.
Përtej parave, karrierës, zyrave, taksave, luksit, shampanjës, halleve, vuajtjeve, taksave, qirave, ëndrrave me gjellë pasanikësh, suksesi, kostumesh, adhurimi, vëmendje; përtej tërë gjërave tokësore që formojnë strukturën sociale të botës dje e botës sot, gjendet një kopësht i veçuar, një pyll i magjepsur, një shkretëtirë me diellin në perëndim, një tokë e errët, fertile, antike, një natë prehistorike, një vend plot humus ëndrrash, çarçafë të enjtur me lëngje njerëzore, dashuri, emocione, kujtesë, nostalgji, dhe fund. Për ata që do vijnë, e për ata që ishin. Atdheu i vërtetë i njeriut. Toka e shpirtit të tij. Aty na shpie Anija e Kristaltë e Doors, me kapiten Jim. Kush ka kurajo, le të jetojë.

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back