Deputetja e partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e pranishme në Këshillin e Europës, ka takuar deputeten kosovare, Saranda Bogujevci, e cila foli për liberalizimin e vizave, dhe siç tha Tabaku, “nuk ka më asnjë arsye për të mos u aplikuar mbi Kosovën njësoj siç është aplikuar mbi vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.
Teksa ka pozuar me Sarandën në ambjentet e KE-së, përmes një postimi në Facebook, deputetja demokrate shtoi se Saranda Bogujevci, “nuk do ta kishte besuar asnjëherë se 20 vite pas tmerrit të masakrës në Kosovë nga forcat e nacionalizmit shovinist, të cilës tetë anëtarë të familjes së saj (përfshirë të ëmën dhe dy vëllezërit) nuk do t’i mbijetonin, ajo do të fliste për vuajtjen që i kujtonte lufta sot në Ukrainë”.
Postimi i plotë i Jorida Tabakut:
Saranda Bogujevci, nuk do ta kishte menduar kurrë se do të fliste në emër të Kosovës për herë të parë në Këshillin e Europës dy dekada më parë.
Nuk do ta kishte besuar asnjëherë se 20 vite pas tmerrit të masakrës në Kosovë nga forcat e nacionalizmit shovinist, të cilës tetë anëtarë të familjes së saj (përfshirë të ëmën dhe dy vëllezërit) nuk do t’i mbijetonin, ajo do të fliste për vuajtjen që i kujtonte lufta sot në Ukrainë.
Historia e Sarandës duhet të jetë një sinjal për Bashkimin e Europian që të mos harrojë angazhimin për të vazhduar zgjerimin dhe mbi të gjitha për të mbështetur zhvillimin e një shteti të ri me histori të trishtë. Kosova nuk ka pse mbetet e izoluar si një ishull.
Liberalizimi i vizave nuk ka më asnjë arsye për të mos u aplikuar mbi Kosovën njësoj siç është aplikuar mbi vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Fryma dhe besimi i qytetarëve të Kosovës është tërësisht pro vlerave të BE-së dhe nuk ka asnjë arsye objektive për të ndaluar procesin e integrimit euro-atlantik.
Ne si Shqipëri duhet të bëjmë gjithçka, përtej fjalëve dhe premtimeve, për të çuar përpara së bashku me Kosovën qëllimet e saj dhe tonat për integrimin në BE. /Liberale.al/