Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se do të marrë pjesë në Këshillin e BE-së. Në një postim në Twitter, Rama thotë se nuk ka shumë për të dëgjuar për Shqipërinë, por do të kërkojë të dëgjohet për Ballkanin e Hapur.
Ai ka komentuar edhe lëvizjet e fundit në Bullgari, duke u shprehur se është shumë herët për të qenë optimist.
“Do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE. Nuk do ketë shumë për të dëgjuar për ne, por do kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të ri Politik Europian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çdo përpara frymën e Europës. Sapo dëgjova që diçka po lëviz sot në Bullgari. Është shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm ku Bullgaria kritikohet si shtet që ka rrëmbyer dy vende të NATO-s, ndërkohë që në kufirin e Europës ka një luftë të nxehtë”, ka shkruar Kryeministri Rama në Twitter.
Më herët, edhe presidentja e Kosovës konfirmoi pjesëmarrjen, duke u shprehur edhe ajo pesimiste për liberalizimin e vizave.