1

Rrëfimi ndryshe i trajnerit të Tiranës: Skuadrën e dua si “Mercedes” ose “BMW”!

               Publikuar në : 12:45 - 25/12/21 ro ot

Orges Shehi është gjithnjë i gatshëm të flasë për mediat, por kurrë nuk zhbalancohet dhe mjeshtërisht arrin që shumicën e kohës të mos prodhojë lajm. Këtë herë është ndryshe, sepse pyetjet nuk kanë të bëjnë me skemat apo me kundërshtarët, por vetëm me atë.

Donim të zbulonim anën tjetër të trajnerit që po kryeson kampionatin me Tiranën dhe befas mësojmë se ka nisur duhanin 42 vjeç, nuk di të gatuajë, i do ndihmësit kampionë dhe shokun e ngushtë e ka te një klub rival direkt për titullin. “Motoja ime është që të jesh i përulur kur triumfon dhe i kujdesshëm kur humbet”.

Sa orë gjumë keni fjetur pas derbit?

Pak fare. Dy orë. Merrja telefonata pa fund. Njerëz që më komplimentonin. Njerëz të lumtur. Por, pagjumësia ka nisur që kur kam marrë Tiranën, sepse këta 9 muaj janë shtuar disa thinja më shumë.

A pini duhan ju?

Po, para ndeshjes dhe ditën e ndeshjes. Nuk kam pirë kurrë më parë, tani as vetë nuk e kuptoj pse pi.

A pini alkool?

Kur isha lojtar, edhe mund t’ia lejoja vetes ndonjë gotë pas ndeshjes. Tani fare. Nuk kam kohë, jam gjithnjë me mendjen te skuadra, te lojtarët dhe gjendja e tyre, te kundërshtari…

Nëse Tirana juaj do të ishte makinë, çfarë marke do të ishte sipas jush?

Unë nuk jam qejfli makinash, por për mua e rëndësishme është që të mos e bësh një copë rrugë me shpejtësi dhe pastaj të rrezikosh finishin. Jo, unë dua udhëtim të sigurt, por të shkojmë siç duhet drejt objektivit. Mendoj që Tirana është një “Mercedes” ose një “BMW”. Makina të forta dhe me bazament.

Cili është momenti më i vështirë deri tani te Tirana?

Ishte koha kur sapo kisha marrë Tiranën dhe pas pak kohësh dola pozitiv me COVID. Humbëm me Kukësin dhe më pas humbëm edhe me Teutën. Ende nuk isha shëruar mirë dhe në ndeshjen me Vllazninë kam ndjekur nga distanca skuadrën i vetmuar për t’u thënë se isha aty. Për fat të mirë, fituam. Por, realisht ishte moment i vështirë.

Po më i bukuri?

Mendoj që ishte derbi i fituar të enjten. Jashtëzakonisht emocionuese.

A e fiton dot Tirana titullin?

Jemi në rrugën e duhur. Do të bëjmë gjithçka që 2022-shin ta nisim aty ku e lajmë në derbi, por duhet kujdes, sepse kemi bërë deri tani vetëm gjysmën e punës. Unë jam i kënaqur me çfarë kemi arritur, por nuk ka përfunduar asgjë./panorama


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back