Kryeministri Edi Rama ishte sot në ambientet e Ministrisë së Brendshme, ku do bëhet kalimi i stafetës nga Sandër Lleshaj, tek ministri i ri Bledi Çuçi.
Rama shprehu mirënjohjen për ministrine larguar, Sandër Lleshaj, duke u shprehur se, “meriton mirënjohjen e respektin tonë për përkushtimin, profesionalizmin e qytetarinë në kryerjen e detyrës, padyshim edhe për dorëheqjen e tij shembullore".
Rama kishte dhe një mesazh për protestat, që u nxitën pas vrasjes së Klodian Rashës, nga një efektiv Policie, teksa i cilësoi si shfaqje esktreme, ku fëmijët u përdorën si mish për top.
“Për të kuptuar çfarë ne, qeveria, shoqëria, policia, duhet të bëjmë që kurrë më të mos përsëritet një shfaqje e tillë ekstreme, ku fëmijet janë mish për top për organizata a terroriste, ekstremiste, për organizata me synime ekstreme që nuk ndalen në përdorimin e mjeteve ekstreme.
Protestat jane të pashmangshme, por janë edhe të dobishme. Qeveria, edhe më e mira në botë nëse ka ekzistuar nuk është dot e pagabueshme, as nuk i zgjidh dot hallet e një shoqërie. Ne vetë padiskutim që jemi larg së qenit të pagabueshëm. Por mund ta them se gabimin e mosrespektimit të protestës qytetare ne nuk e kemi bërë asnjëherë. Jam krenar, se në këto 7 vite e pak qeveria jo vetëm e ka dëgjuar gjithnjë zërin e protestuesve, por jo në pak raste ka reflektuar dhe ka ndryshuar qasje, apo qëndrim, në lidhje me një cështje të caktuar përballë arsyes së protestuesve”, tha Rama.