Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thirrur në një takim joinformal në Tiranë liderët e Ballkanit, së bashku me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, të cilët do të drekojnë dhe njëkohësisht do të diskutojnë për Procesin e Berlinit, pas mbylljes së nismës së Ballkanit të Hapur.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Nga ana tjetër, kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë i pranishëm në këtë takim. Zërat që qarkulluan një ditë më parë në mediat kosovare, janë konfirmuar sot në një reagim të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Ai ka njoftuar se kryeministri Kurti nuk do të marrë pjesë në takimin e sotëm, për shkak të pjesëmarrjes së tij në konferencën në Kretë të Greqisë.
“Para një jave kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me komisionarin evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama që nuk do të mundë të shkojë kësaj radhe, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, shkroi Kryeziu.