Kryesore

Qeveria e re e Kosovës shfuqizon reciprocitetin me Serbinë

               Publikuar në : 11:25 - 06/06/20 liberale

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka votuar për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Këto masa u vendosën më 1 prill nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit janë hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke i hequr pengesat për procesin e dialogut, në përputhje me zotimet që kemi dhënë para partnerëve tanë ndërkombëtar. Tani presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe, që të heqin të gjitha pengesat dhe t’i japin frymë procesin e dialogut. Por ne ruajmë të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, që t’i jepet shansë dialogut, por theksoi se nuk mund të japë një datë të saktë se për sa kohë ky vendim do të mbetet në fuqi.

Kryeministri Hoti tha se për vendimin për shfuqizimin e masave të reciprocitetit është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë. Ai tha se gjatë takimit që ka pasur të premten me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka marrë zotimin se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë që Serbia po ashtu të heqë pengesat për dialog, siç është fushata për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.

“Kemi një dakordim me miqtë tanë ndërkombëtarë që presioni i tyre do të jetë edhe karshi Serbisë, që edhe ata të heqin pengesat për dialog dhe pasi të heqin ato pengesa për dialog, ne do të ulemi në tavolinën e bisedimeve”, tha Hoti.

 

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back