Rubla ruse është monedha më e fortë në botën e vitit 2022: pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare, ajo fitoi mbi 40% kundrejt dollarit amerikan, falë rritjes së çmimeve të mallrave. Por jo gjithçka që shkëlqen është flori: sipas shumë ekspertëve, kjo situatë mund të jetë vetëm e përkohshme.
Rubla ruse vazhdon të rritet kundrejt dollarit dhe shumë ekspertë pajtohen se mund të quhet pa hezitim monedha më e fortë në botë për vitin 2022. Tre muaj pasi vlera e rublës ra për shkak të sanksioneve më të ashpra ekonomike të vendosura, monedha ruse ka bërë një kthesë të pabesueshme, duke u kërcyer me 40% kundrejt dollarit amerikan që nga janari.
“Është një situatë e pazakontë”, shpjegoi Jeffrey Frankel, profesor në Shkollën Kennedy të Harvardit, siç shkruan CBSNews amerikane. Normalisht, një vend që i nënshtrohet sanksioneve të rënda dhe i përfshirë në një konflikt të rëndë ushtarak do të shihte investitorët të ikin dhe një rrjedhje të vazhdueshme kapitali, duke shkaktuar kolaps të monedhës së tij. Por në rastin e Rusisë kjo nuk po ndodh, përkundrazi. Vlera e rublës është rritur, po ashtu edhe kërkesa.
Rritja e çmimeve të mallrave është ndër shkaqet e fuqisë së rublës
Por si u ngrit rubla në këtë mënyrë? Arsyeja kryesore lidhet me rritjen e çmimeve të mallrave. Pasi Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, çmimet shkuan në qiell, dhe pavarësisht se ka një rënie në vëllimin e eksporteve ruse për shkak të embargove dhe sanksioneve, këto janë kompensuar," komentoi Tatiana Orlova, krye ekonomiste e tregjeve në zhvillim në Oxford. Moska po mbledh afro 20 miliardë dollarë në muaj nga eksportet e energjisë. Që nga fundi i marsit, shumë blerës të huaj kanë përmbushur kërkesën për të paguar energjinë në rubla, duke rritur kështu vlerën e monedhës.
Përveç kësaj, sanksionet perëndimore dhe fakti që shumë kompani janë larguar nga vendi kanë ulur gjithashtu volumin e importeve. Në katër muajt e parë të vitit, diferenca midis eksporteve dhe importeve në Rusi u rrit në 96 miliardë dollarë. "Edhe nëse shohim që kompanitë perëndimore po largohen nga Rusia, shumë shpesh ato thjesht duhet t'u shesin aksionet e tyre partnerëve vendas. Në realitet kjo nuk do të thotë se ata po lëvizin shuma të mëdha parash nga vendi", shpjegoi eksperti.
Rreziqet afatgjata për ekonominë ruse
Të gjithë këta faktorë po krijojnë kërkesë për rubla, duke rritur vlerën e monedhës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Rusia është e imunizuar nga një fatkeqësi ekonomike. Sipas disa ekspertëve, është e mundur që kjo fuqi e monedhës ruse të jetë vetëm e përkohshme. Përveç kësaj, vendet evropiane kanë premtuar të ulin importet e tyre të gazit rus me dy të tretat këtë vit, një goditje gjymtuese, duke pasur parasysh varësinë e Rusisë nga eksportet e energjisë.
Një shenjë se ekonomia ruse mbetet nën presion të madh është se inflacioni është më shumë se dyfishi i atij të Shteteve të Bashkuara. "Kjo po krijon presion mbi rusët për të lëvizur paratë e tyre jashtë vendit", tha Frankel nga Shkolla e Harvardit Kennedy. Një shqetësim tjetër për Moskën është se shkurtimi i importeve mund të çojë në mungesa industriale, ndërkohë që një rënie e investimeve të huaja pritet të ndikojë në rritjen ekonomike të vendit për vite me radhë, siç ka parashikuar Instituti Ndërkombëtar i Financave (IIF).
Gjithashtu IIF parashikon që ekonomia ruse do të tkurret me 15% këtë vit, duke zhdukur më shumë se një dekadë zhvillimi ekonomik. "Kontrollet e eksportit, 'ikja e trurit' jashtë vendit, shkëputja e Evropës nga varësia energjetike e Rusisë dhe një klimë jashtëzakonisht armiqësore ekonomike do të rëndojnë në rritjen e Rusisë në vitet në vijim," përfundoi Elina Ribakova, një ekonomiste në 'IIF./Përshtati Liberale.al