Kryesore

Pse po funksionon keqinformimi rreth Covid-19

               Publikuar në : 09:27 - 25/11/21 Noam Titelman

Noam Titelman

Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator, presidenti brazilian Zhair Bolsonaro e shfrytëzoi fjalimin e tij, për të treguar pikëpamjet e tij mbi Covid-19. Ai lavdëroi vetitë e trajtimeve që janë refuzuar aktualisht nga shkencëtarët,dhe deklaroi se ai vetë kishte përfituar nga ilaçi kundër malaries, hidroksilklorina.

Mbështetja e Bolsonaros për “kura të tilla që bëjnë mrekulli” është e njohur. Ai është shfaqur rregullisht në shtypin brazilian dhe në rrjetet sociale, duke promovuar përdorimin e trajtimeveqë nuk kanë asnjë bazë tek faktet shkencore. Por ai nuk është i vetmi në këtë drejtim.

Gjatë administratës së tij, ish-presidenti i SHBA Donald Trump mbrojti përdorimin e një sërë kurash të paprovuara shkencërisht, në një kohë që presidenti i Madagaskarit, AndriRajoelina, ka promovuar përdorimin e një pije që rrjedh nga bima artemisia si kurë ndaj Covid-19.

Dhe për dëshpërimin e komunitetit shkencor, këta politikanë por dhe të tjerë kanë bindur me sukses një pjesë të madhe të publikut mbi “efikasitetin” dhe “sigurinë” e trajtimeve të tilla.

Keqinformimi është përhapur shumë gjatë kësaj pandemie, por ai nuk është ndonjë fenomen i ri.

Në punën e tyre kryesore mbi perceptimin e mirëqenies në Shtetet e Bashkuara, politologu Xhejms Kuklinski dhe kolegët e tij, treguan se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë amerikane, kishte perceptime të pasakta mbi përfituesit e mbështetjes shtetërore dhe sasinë e parave që ata merrnin.

Po ashtu ata zbuluan se përhapja e keqinformimeve, pengoi vëmendjen e duhur ndaj informacionit të saktë. Njerëzit e keqinformuar, nuk kanë thjesht informacione të pasakta; ata janë shumë të investuar në keqkuptimet e tyre. Dhe kjo është ajo që e bën kaq të fuqishëm keqinformimin:ai kombinon keq–perceptimet mbi botën, me një shkallë të lartë besimi mbi saktësinë e tyre.

Njerëzit nuk i besojnë informacionit të rremë për shkak se janë injorantë. Në këtë proces ndikojnë shumë faktorë në punë. Por shumica e studiuesve, bien dakord se besimi tekkeqinformimi, ka pak të bëjë me sasinë e njohurive që zotëron një person.

Keqinformimi duket se është një shembull kryesor i arsyetimit të motivuar. Pra njerëzit priren që të arrijnë në përfundimet që duan, për aq kohë sa mund të ndërtojnë justifikime në dukje të arsyeshme për këto rezultate.

Një studim i botuar në vitin 2017, tregoi se njerëzit që kanë dije dhe një arsimim më të madh shkencor, kanë më shumë gjasa të mbrojnë besimet e tyre të polarizuara, në lidhje me tema të diskutueshme shkencore për shkak të “shqetësimeve jo–shkencore”.

Dhe një nga këto shqetësime më të fuqishme është ruajtja e identitetit. Udhëheqësit politikë janë më efektivët në nxitjen e keqinformimeve, kur shfrytëzojnë frikën e qytetarëve se mos humbin ato që ata i perceptojnë si aspekte përcaktuese të kulturës së tyre, sidomos gjuhën, fenë dhe hierarkitë dhe rolet racore dhe gjinore.

Në mjediset e polarizuara politike, vëmendja që fiton keqinformimi ka të bëjë pak me nivelet e ulëta të njohurive apo angazhimit, dhe më tepër me mënyrën se si informacioniinterpretohet në një mënyrë që të përputhet me identitetin ideologjik.

Qasja “ne kundër tyre”, nënkupton se pjesët e ndryshme të informacionit që marrin njerëzit,përpunohen në një mënyrë, e cila i përshtatet botëkuptimit të tyre. Kjo është arsyeja pse nga të njëjtat fakte, individët mund të nxjerrin përfundime çuditërisht të ndryshme.

Kur liderët politikë mbështetin trajtime të paprovuara ndaj Covid-19, ata janë duke përfituar nga kjo tendencë polarizuese. Por një fokus i tepruar tek këta liderë, mund të errësojë arsyen kryesore që i ka nxitur njerëzit t’i pranojnë këto mesazhe.

Gatishmëria për ta besuar keqinformimin, i ka rrënjët tek aspektet themelore të identitetit kulturor, të cilat manipulohen nga politikanët. Studimi i fundit nga Mariana da Silva, studente postdoktorale në Universitetin e Oksfordit, ka treguar se një nga arsyet pse brazilianët u besojnë trajtimeve si ato të promovuara nga Bolsonaro, është një besim i thellë kulturor se një “mjek serioz” është ai që jep ilaçe.

Bolsonaro nuk kishte nevojë që t’i bindte brazilianët mbi përfitimet e ivermektinës dhe klorokinës. Mjaftoi që ai të konfirmonte se sëmundjet potencialisht serioze, duhet të trajtohen gjithmonë me ilaçe. Ai ofroi një narrativë, e cila i lejoi disa segmente të popullsisë të arrinin në përfundimin e dëshiruar. Dhe kaq mjaftoi.

Të kuptuarit e faktorëve nxitës të keq-informimeve është thelbësor për parandalimin e përhapjes së tij. Për t’i mbajtur njerëzit të sigurt nga Covid-19, dhe për të inkurajuar vaksinimin, nuk mjafton vetëm denoncimi i politikanëve që promovojnë informacionet erreme. Ne duhet gjithashtu të kuptojmë motivet themelore, që i nxitin njerëzit t’u besojnë atyre. / “Project Syndicate” – Bota.al

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back