Prezantohet sot trajneri i ri i Kombëtares Shqiptare, ja kushtet që i ka vendosur Duka
Shkruar nga Liberale
Federatat Shqiptare e Futbollit prezanton sot trajnerin e ri të Kombëtares. Sylvio Mendes Campos Júnior, i njohur si Silvinjo pritet të nënshkruajë kontratën, e cila do të jetë 18 muaj me kushtin për ta kualifikuar Shqipërinë në finalet e Europianit 2024.
Trajneri brazilian pritet të ketë edhe një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e federatës Armand Duka dhe ish-trajnerin Edoardo Reja.
Sa i përket kushteve financiare, ato nuk bëhen të ditura, por burime të Klan TV pranë Federatës thonë se bashkë me anëtarët e tjerë të stafit, fatura do të jetë afërsisht 55 mijë euro në muaj, ku vetëm trajneri do të ketë një pagë 30 mijë euro. Në total shuma arrin në 1 milionë euro në 18 muaj.
Ndërkohë FSHF ka publikuar një falënderim për ish-trajnerin dhe për punën e tij.
Reja e mori drejtimin e Kombëtares në mars të 2019. Ai e ka drejtuar Shqipërinë në 38 ndeshje në total, ku ka arritur të regjistrojë 14 fitore, 9 barazime dhe 15 humbje, me një golavarazh të përgjithshëm 46 të shënuar dhe 45 të pësuar./Liberale.al