Aktualitet

Presidenca: Lolot e Rilindjes mashtruan me raportin e Venecias

Shkruar nga Liberale
Presidenca: Lolot e Rilindjes mashtruan me raportin e Venecias

Një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi denoncoi publikisht se mazhoranca ka mashtruar me raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias, duke mos shpërndarë dokumentin origjinal.

Tedi Blushi: Titrat dhe lajmet e gënjeshtra të shpërndara sot në panik nga shteti i propagandës dhe të qarkulluara përsheshngrënësit mediatikë të PPP-ve janë dëshmi e qartë e dëshpërimit dhe stresit ku kanë rënë sot lolot e Rilindjes me në krye famozin e mashtrimit dhe jo vetëm Tao-tao në lidhje me konkluzionet e opinionit final të Komisionit të Venecias.

Së pari dua tu bëj me dije një fakt të pakundërshtueshëm dhe lëhtësisht të verifikueshëm që nxjerr në dritë pacipësinë dhe pafytyrësinë e lolove të Rilindjes dhe famozit Tao-tao që mashtrojnë dhe ndajnë në media gjoja me emër të Komisionit të Venecias raporte dhe konkluzione të pavërteta.

Ky është dokumenti i vetëm zyrtar (letra që mban në dorën e djathtë të fotos) i publikuar nga sot nga Këshilli i Europës në lidhje me konkluzionet e raportit final të Komisionit të Venecias, ndërsa ky këtu(letra që mban në dorën e majtë) është dokumenti që Tao-tao ka shpërndarë sot në media.

Sipas Blushit, diferenca në dy dokumentet është shumë e qartë.

Tedi Blushi: Dokumenti Tao Tao përhap lajmin e gënjeshtërt se sipas Venecias, Presidenti nuk mundet të anulojë zgjedhjet. Ndërkohë sipas deklaratës zyrtare për shtyp të Këshillit të Europës, mbi raportin final të Komisionit të Venecias thuhet si më poshtë:

“Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhej të miratojë legjislacion ad hoc (të posaçëm) për të shtyrë zgjedhjet”.

Duke këshilluar kështu Kuvendin të investohet në plotësimin e vakumeve ligjore, siç rekomandojnë ekspertët e Venecias, dhe jo të investohet me të gjithë arsenalin e papagajve për të prodhuar dokumente Tao Tao dhe për të keqinformuar opinionin publik.

Gjithashtu ky dokument thotë si më poshtë, citoj: “Ekspertët theksojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë e tij se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve. Ata theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë të Dekreteve të Presidentit përpara ndonjë gjykate.”

Për më tepër, thotë Blushi, në këtë deklaratë zyrtare të KiE-së, këshillohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, citoj: “të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese, siç janë mbajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabilitetit në vend”.

Tedi Blushi: Diferencat në përmbajtje janë shumë të qarta dhe për këdo që ka dyshimin më të vogël mund t’i adresohet faqes zyrtare në internet të KiE-s për të kuptuar të vërtetën e vetme. Është kjo arsyeja pse Presidenti i Republikës në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin e Komisionit të Venecias, nga lolot e shtetit të propagandës.

Këshilltari për Mediat dhe Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi, thotë se është e provuar me fakte e prova të pakundërshtueshme, por që për etikë nuk mund të bëhen publike, se Tao Tao dhe lolot që e shoqëronin në “Venecia” janë detyruar sot të kërkonin falje me përulje para Komisionit, për keqpërdorimin politik të Draft Opinionit, për shkelje të konfidencialitetit dhe për përdorimin e

“Venecias” për të keqinformuar shqiptarët, duke zhvendosur vëmendjen nga problemet e vendit dhe të integrimit.

Tedi Blushi: Duke i lënë në pacipësinë e tyre të gjithë lolot e shëmtuar të shtetit të propagandës dhe përsheshngrënësit e tyre mediatikë që nxitojnë të publikojnë lajme të pakonfirmuara, mbështetura mbi dokumente Tao Tao.

Blushi tha se opinioni Final i Komisionit të Venecias së shpejti bëhet publik dhe shqiptarët do e lexojë me sytë e tyre, e zeza mbi të bardhë, të vërtetën që Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka thënë gjithmonë:

-Zero shkelje të kushtetutës!

-Zero shkelje të kompetencave kushtetuese!

-Mbrojtje e shkëlqyer e kushtetutës!

-Mbrojtje e shkëlqyer e konventës europiane të të drejtave të njeriut!

-Mbrojtje e shkëlqyer e vendimit të gjykatës së strasburgut për të drejtën e zgjedhjes!

-Mbrojtje e shkëlqyer e detyrimeve ligjore që ka shqipëria nga marrëveshja e stabilizim asocimit me Bashkimin Europian!

Blushi tha se konfirmon me përgjegjësi maksimale se Komisioni i Venecias vërtetoi sërish se Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Tedi Blushi: Komisioni i Venecias gjithashtu ka vlerësuar maksimalisht thirrjet e Presidentit për dialog dhe përpjekjet e tij për arritjen e një kompromisi midis palëve, që ishin të rëndësishme për zgjidhjen e krizës. Kjo është e vërteta e vetme që në ditët në vazhdim do t’i bëhet e ditur çdo shqiptari!”

Konkluzionet e Venecias

Komisioni i Venecias publikoi raportin përfundimtar lidhur me anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, ku thuhej se ka indikacione se veprimet e Presidentit mund të mos kenë qenë të asaj natyre që justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit.

Në raport, Komisioni i Venecias citonte se edhe nëse Meta tejkaloi kufijtë, nuk mund të fajësohet.

"Në sfondin e një procedure aktuale të fajësimit kundër Presidentit shqiptar Ilir Meta, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, ekspertët kushtetues të Këshillit të Evropës të Komisionit të Venecias konkludojnë se ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej fuqive të tij kushtetuese, ka indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit", thuhej në raport.

Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Asamblesë shqiptare Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se Presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik.

"Edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta ose katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhet të miratojë legjislacion ad hoc për të shtyrë zgjedhjet", thotë Komisioni.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH