Pas muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë shqiptarë ashtu si në gjithë botën falën Namazin në orët e para të së premtes ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njërit-tjetrit, duke uruar mbarësi dhe begati për të gjithë besimtarët shqiptarë.
Ndërkohë që nuk kanë munguar edhe urimet e poltikanëve. Kryeministri Edi Rama ka publikuar foton e një xhamie rrethuar me lulet e para të pranverës.
"MIRËMËNGJES☀️
GËZUAR FITËR BAJRAMIN?", uron Rama.
Edhe presidenti Bajram Begaj, gjatë një vizite në Xhaminë Kubelie në qytetin e Kavajës, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.
“Nga Kavaja uroj të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët ku jetojnë e punojnë gëzuar Festën e Fiter Bajramit! Uroj nga zemra që agjërimi i muajit të Ramazanit ka përmbushur qëllimin e shprehjes së devocionit të besimtarëve përmes sakrificës! Sakrifica në emër të besimit shpresoj të jetë shtysë për ne, për të bërë vepra të mira, për familjen, për shoqërinë dhe për kombin. Në fakt, kjo festë e Fiter Bajramit ka karakteristikë të veçantë solidaritetin dhe dashurinë. Dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Zotin. Sot në Kavajë gjeta veten, takova miq të rinj dhe të vjetër, të besimeve të ndryshme dhe ku më mirë se Kavaja tregohet kjo harmoni fetare. Bashkëjetesa dhe harmonia fetare për të gjithë kombin tonë është një vlerë e jashtëzakonshme, vlerë e cila duhet ruajtur, duhet promovuar dhe pse jo duhet eksportuar. Të eksportojmë atë vlerë që është më e mira. Populli shqiptar e ka treguar me vepra që e përkrah të ndryshmen. Kemi pritur refugjatë afganë, kemi pritur refugjatë ukrainas, kemi hapur dyert tona në ditë të vështira, pse jo edhe në këtë ditë të bëjmë një thirrje që të ndihmojmë ata që janë më të pamundurit, ata që kanë nevojë për më shumë. Gëzuar Festën e Fiter Bajramit! Uroj për të gjithë shqiptarët, mirësi në jetën e tyre!”, u shpreh Begaj.
Kreu i komanduar Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka uruar me një postim në rrjetet sociale, ku uron paqe dhe begati.
"Pas një muaji sakrifice, agjërimi, lutjesh mbërriti Fiter Bajrami si kurorëzim i kësaj përpjekjeje të dlirë njerëzore për paqe, begati dhe shpërblim tek Zoti. I uroj përzemërsisht besimtarët myslimanë për këtë festë të mrekullueshme! Dëshiroj që Zoti tu japë atyre dhe shqiptarëve mirësi dhe bekime në familjet e tyre. Gëzuar Bajramin!", shkruan Alibeaj.
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko ka uruar gjithashtu, gjithë besimtarët myslimanë.
"Për të gjithë miqtë e mi besimtarë, Gëzuar Fiter Bajramin! Allahu ua pranoftë sakrificën gjatë muajit të Ramazanit!", shkruan ai në Facebook.
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka vizituar së bashku me bashkëshorten Monika Kryemadhi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë me rastin e Fitër Bajramit.
“Kënaqësi e veçantë për të uruar sot të gjithë besimtarëve myslimanë Zoti tua pranojë sakrificat, agjërimin dhe lutjet e tyre përgjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Shpresa le të rritet dhe të forcohet në zemrën e çdo shqiptari e sidomos të fëmijëve dhe të rinjve të këtij vendi për një ardhme më të mirë të gjithë së bashku. Gëzuar!”, u shpreh Meta.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka uruar me një video nga sheshi "Skënderbej", ku besimtarët myslimanë po falnin Namazin.
"Gëzuar Fitër Bajramin nga Tirana. ", shkruan Veliaj teksa poston videon.
Vijon....