Kryesore

Po hetimit të financimit për të gjitha partitë politike

               Publikuar në : 09:08 - 14/01/20 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Që partitë politike shqiptare nuk i deklarojnë të gjitha shpenzimet e tyre apo burimet e financimit, kjo nuk ka as më të voglin dyshim. Madje, financimi i partive është një nga sëmundjet më të mëdha të tranzicionit shqiptar.

Situata që paraqitet në këtë aspekt, për shkak të ligjeve që rregullojnë financimin, të cilat parashikojnë një skemë financimi jo efikase, hipokrite në disa raste dhe të pamjaftueshme për partitë politike, duhet të ndryshojë sa më parë. Duhet ta kemi të qartë se kushton, madje kushton shumë. Dhe, shpeshherë, për t’i bërë ballë një gare të egër dhe për të mbuluar shpenzimet elektorale që qartësisht ligji shqiptar nuk i mbulon, partitë politike detyrohen të sigurojnë financime alternative, që në shumicën e rasteve nuk deklarohen.

Ky është një tipar i të gjitha forcave politike në Shqipëri. Kush thotë të kundërtën gënjen. Mekanizmat e kontrollit në këtë aspekt kanë dështuar. Ka pasur përgjatë tranzicionit shqiptar një lloj pakti midis partive politike në këtë drejtim.

Kështu që trumbetimi i procesit hetimor ndaj financimit të Partisë Demokratike dhe lidhjet e saj me Rusinë, janë as më shumë dhe as më pak tendencioze dhe selektive. Në fakt, deri më tani, Prokuroria ka konstatuar mosdeklarimin e një shume parash nga ana e Partisë Demokratike. Nuk ka asnjë provë deri më tani se kjo shumë parash ka shkuar për lobim në Shtetet e Bashkuara, ku duhet theksuar se lobimi nuk përbën shkelje ligjore.

Megjithatë, është e habitshme se si Prokuroria shqiptare, në këtë rast, ka hapur një hetim ndaj Partisë Demokratike, dhe në asnjë rast të vetëm nuk ka hetuar financimin e partive të tjera. Sepse të kuptohemi, askush nuk e vë në dyshim që të gjitha forcat politike dhe sidomos ato në pushtet, kanë shpenzime dhe harxhojnë shuma marramendëse për fushata elektorale, dhe nuk i deklarojnë askund. Në këtë kuptim, askush nuk e di prejardhjen e tyre.

Prandaj, për të luftuar këtë fenomen të financimit të partive politike, është absolutisht e drejtë që të hetohen mosdeklarimet e financimeve, por duhen bërë për të gjithë spektrin politik dhe jo në mënyrë selektive.

Sepse, nëse ndodh kështu, atëherë, hetimet e prokurorisë janë shumë të dyshimta në përdorimin e saj për arsye politike.

Në fakt, gjatë gjithë ditës së djeshme, lajmi kryesor ishte thirrja e Lulzim Bashës në Prokurori për këtë çështje. Dhe mazhoranca nuk priti që ta kthejë këtë çështje në debatin e ditës. Më shumë se kaq, mazhoranca e ka katandisur situatën politike të momentit dhe krizën që ajo po e kalon në çështjen e Rusisë. Deklarata e djeshme të përfaqësuesve të Partisë Socialiste ishin të një lehtësie të pabesueshme.

Është absurde të mendosh se si e gjithë situata politike që po kalon vendi mund të reduktohet në një çështje të tillë. Në radhë të parë, sepse momenti politik i Shqipërisë nuk mund të shpjegohet me çështjen e Rusisë, e cila është kthyer në një mit për hir të së vërtetës, por ka aspekte shumë herë më të rëndësishme dhe problematika reale që duhen zgjidhur. Në radhë të dytë, mazhoranca nuk mund të pretendojë se është imune nga financimi joligjor i Partisë Socialiste.

Është në sytë e të gjithëve dhe një realitet i prekshëm se si partitë politike në Shqipëri financohen nga burime që asnjëherë nuk deklarohen, të cilat krijojnë një sistem klientelist në dëm të demokracisë dhe ekonomisë.

Prandaj, Prokuroria shqiptare bën mirë që e heton këtë çështje të Partisë Demokratike, por për të qenë e besueshme duhet të fillojë hetimet për të gjitha partitë politike shqiptare. Në të kundërt, puna e saj vihet shumë në dyshim, dhe aludimet për përdorim politik natyrshëm rriten.

Në këto kohë ku reputacioni i Prokurorisë nuk është në ditët e saj më të mira, është e udhës që nëpërmjet veprimeve të saj t’i bindi shqiptarët se çështjen e financimit të partive e ka seriozisht. Sepse, padurimi për të hetuar këtë çështje dhe jo çështjen më të ndjeshme të momentit, siç është shitblerja e votave, për hir të vërtetës e kthen atë në një organ që më së paku është i dyshimtë në ndershmërinë e punës së saj./Gazeta Liberale

 

Tags: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back