Përkeqësimi i situatës nga pandemia duhet të shoqërohet me të tjera masa shtrënguese. Infeksionisti Pëllumb Pipero rekomandon mbylljen e të gjitha shkollave dhe lokaleve deri në fund të marsit.
Ndërsa në transportin publik, numri i udhëtarëve duhet të jetë i limituar sipas protokolleve të shëndetësisë.
“Deri nga fundit i marsit masat duhet të ishin më të shtrënguara, orari i kafeneve më i shkurtuar, të mos shërbehet në tavolina, por “delivery”. Shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm të ishin mbyllur deri në fund të marsit. Edhe pse nuk është zgjidhje e problemit, është zgjedhje e detyruar për nga ritmet e pandemisë pasi nuk janë kështu vetëm në vendin tonë”, u shpreh Pëllumb Pipero për A2.
Pipero tërheq vëmendjen se këto javë, krahas rritjes së infektimeve, janë shtuar humbjet e jetës edhe tek moshat e reja.
“Kemi raste të shtuara të sëmundjes dhe forma të rënda dhe humbje të jetës dhe tek moshat e reja. I këshilloj të jenë të kujdesshëm që do të thotë të mbajnë maskë, distancë dhe higjienë. Edhe një lutje kam për ta, të frekuentojnë sa më pak, kafenetë dhe mjediset e mbyllura”, shtoi ai.
Ashtu siç do person që e ka kaluar jo lehtë koronavirusin edhe Pipero thotë se do t’i duhen së paku 12 javë për të rimarrë veten.