Aktualitet

Përfundon takimi i Ministrave të Jashtëm, Igli Hasani: Është përfocuar angazhimi i BE-së në Ballkan

Shkruar nga Liberale
Përfundon takimi i Ministrave të Jashtëm, Igli Hasani:

Pas përfundimit të takimit të Ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, mbajtur në Tiranë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani ka dalë në një konferencë të përbashkët për mediat me Komisionerin e BE Varhelyi dhe Ministren e Jashtme Gjermane, Baerbock.

Hasani ka thënë se takimi është i fundit në radhën e 3 Ministerialeve, që i paraprijnë samitit që do të mbahet pas pak ditësh në kryeqytetin e Shqipërisë, teksa theksoi se në këto kohë sfidash, Bashkimi Europian ka përforcuar angazhimin e saj në rajonin e Ballkanit.

“Ky ishte ministeriali i fundit në serinë e tre ministerialeve që i paraprijnë Samitit në Tiranë. Mirënjohje të gjithë kolegëve për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre. Këto takime, ngjarje të rëndësishme që zhvillohen për herë të parë në një vend të rajonit tonë.

Ato zhvillohen në një moment veçanërisht të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën. Situata aktuale gjeopolitike ka prodhuar shumë sfida që kërkojnë vëmendje e adresim.

Kërkojnë po ashtu angazhim të fortë, jo vetëm të rajonit, por edhe të BE. Krahas sfidave, kjo situatë ka prodhuar edhe një vullnet të ri politik. Ka përforcuar angazhimin e BE-së me rajonin tonë. Ky vullnet shprehet edhe në këto takime, sigurisht edhe Samiti pas pak ditësh. Samiti dhe tri Ministerialet, janë një mundësi për të diskutuar se çfarë forme mund të marrë ky angazhim.

Procesi i Berlinit mbështetet në 3 shtylla: 1. Perspektiva evropiane; 2. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve; 3. Përmirësimi i performancës ekonomike të rajonit. Samiti i këtij viti do të fokusohet kryesisht në shtyllën e tretë. Në tryezë janë disa propozime që do të përmirësojnë ndjeshëm zhvillimin ekonomik të rajonit

Propozimet janë plotësisht në linjë me Planin e Rritjes së propozuar nga Von Der Leyen. Duhet investuar për ngushtimin e hendekut në zhvillimin ekonomik që ekziston mes Ballkanit Perëndimor dhe BE. Kjo ndihmon në përgatitjen e ekonomive tona për integrim në tregun e përbashkët të BE.

Energjia dhe transporti, janë dy sektorë kyç në agjendën e këtij viti të Procesit të Berlinit. Përtej këtyre dy fushave, kemi punuar për nisma konkrete edhe në sektorë të tjerë. Këto nisma na ndihmojnë të integrohemi në disa politika të tregut të përbashkët të BE. Qëllimi është që rigjallërimi i procesit të integrimit të konkretizohet me masa që janë të prekshme nga qytetarët”, deklaroi ministri Hasani.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH