Aktualitet

Për të bërë avokatin e djallit që po na ngroh globin!

Shkruar nga Liberale
Për të bërë avokatin e djallit që po na ngroh globin!

Gentian Kaprata

Një nga fabulat që ndikoi shumë rininë time quhet ‘Udhëtari dhe Djalli’, dhe flet për një udhëtar, që po rrugëtonte në një mot shumë të keq, natën, përgjatë një pylli shumë të rrezikshëm.

Ndërsa ecte nëpër pyll, udhëtari ndjeu praninë e një qenie që e ndiqte nga pas, dhe pak e nga pak krijoi bindjen se ishte Djalli. Duke nxituar akoma më shumë udhëtari rrëshqiti në një lumë të thellë e të rrëmbyeshëm ku humbi ndjenjat, të cilat i rimori pranë një zjarri të madh dhe qenies së frikshme që po e ushqente me diçka të ngrohtë. Heshtja, që mbretëroi për disa minuta, u prish nga udhëtari: ‘Më falni zotëri, ju më shpëtuat jetën, ndërsa unë besoja se ju ishit Djalli’! ‘Nuk ka arsye për ndjesë, Djalli jam’- ju përgjigj qenia e frikshme. Udhëtari u çudit dhe vijoi: -‘po si shpjegohet që ju nuk po më bëni keq, sikurse thonë shkrimet, por po kujdeseni për mua?!’. Përgjigja që morri ishte nga ato që edhe mendja më e përgatitur nuk i pret –‘Epo, historitë tregohen sipas atij që ka lapsin, po ti tregoja unë ndryshe do ti kishe dëgjuar, miku im!’.

Sigurisht, morali i fabulës nuk është të vërë në diskutim fjalën e Zotit. Në fund të fundit, gjithçka interpretohet ndryshe, nëse pranojmë se projekti më i madh i Djallit ishte ti mbushte mendjen njeriut se nuk ekzistonte. Ajo na mëson se çdo informacion  i njëanshëm, kurdoherë, mund dhe duhet vënë në pikëpyetje. Dhe imagjinoni sa e vlefshme është kjo tezë nëse flasim për shkencën, që është krijuar pikërisht nga vënia në dyshim e saktësisë së dijes shkencore të mëparshme!

Në të njëjtin pozicion gjendemi edhe për një nga çështjet më të rëndësishme që i është shtruar për zgjidhje njeriut të kohëve të sotme, ngrohja globale. Këtë e kanë marrë në dorë alarmistët dhe po e profilizojnë ashtu si iu vjen më mirë: njeriu po shkatërron mjedisin duke u fokusuar te paraja! Në këtë theks shkoi edhe fjalimi, shumë i diskutuar në publik, i 16 vjeçares, Greta Thunberg në Pallatin e Qelqtë të OKB. Fatkeqësisht ambientalistët alarmist nuk po kursejnë as një engjëll të plagosur nga fati, si Greta, për të arritur synimet e tyre shumë të diskutueshme moralisht dhe shkencërisht. Te këto të fundit do fokusohet edhe ky shkrim i shkurtër i opinionit.

Ndryshimet klimatike janë një fakt i padiskutueshëm që ndikojnë thelbësisht jetën e njeriut. Tre janë grupet bazike që e trajtojnë këtë çështje: grupi i parë dhe i dytë janë më së shumti shkencëtarë, kurse grupi i tretë përfshin politikanë, ambientalistët dhe njerëz së medias. Grupi i parë janë shkencëtarë që bëjnë pjesë në Grupin e Punës së Panelit Ndërkombëtar të Ndryshimeve Klimatike (IPCC) të UN. Këta besojnë se ndryshimet klimatike vijnë, për së pari, prej faktit që njerëzit djegin karburante fosile: naftë, gaz natyror dhe qymyr; gjë që çliron dioksid karboni në atmosferë, çka rrit temperaturën e planetit. Grupi i dytë janë shkencëtarë që nuk e shohin kështu problemin e ngrohjes globale. Ata quhen ndryshe edhe skeptikë, dhe besojnë se janë të shumta arsyet për të cilat klima po ndryshon, si dielli, retë, oqeanet, orbita e tokës, si dhe një pafundësi arsyesh të tjera, dhe se nuk ka prova që lëshimi i CO2 është faktori dominant.

Megjithëse ka diferenca kuptimore mes dy grupeve të shkencëtarëve, ata kanë edhe dakortësi. Dy më të rëndësishmet prej tyre janë: dioksidi i karbonit është një gaz i efektit serë pa të cilin jeta në tokë nuk mund të ekzistoj, por kur lëshohet në atmosferë prodhon një farë ngrohje; dhe se djegia e karburanteve fosile nuk do ta shkatërroj njerëzimin, apo akoma më pak Tokën, sikurse na thonë ambientalistët alarmistë me gojën e një fëmije si Greta. Atëherë, pse njerëzimi është në panik në lidhje me këtë çështje? Dhe këtu prezantohet grupi i tretë; politikanët, ambientalistët dhe media. Alarmi mbi ngrohjen globale ju siguron atyre, më shumë se çdo gjë tjetër, ato gjëra që ata duan më shumë: për politikanët, para dhe pushtet; për ambientalistët, para për organizatat e tyre dhe konfirmimin e idesë se njeriu është një forcë shkatërruese për natyrën; dhe për median, para dhe tituj kryesorë me ‘fundin e botës që po vjen”, që shiten shumë dhe shtrenjtë.

Thënë këto, duket sikur po themi se njerëzimi duhet ti harroj ndryshimet klimatike dhe t’ia fusë një gjumi të thellë. Jo dhe sërish jo! Njerëzimi duhet ti marrë shumë seriozisht, sepse ngrohja globale është një fakt dhe me shumë risqe, veçanërisht për vende si Shqipëria; por ti largohet alarmit që jo vetëm nuk prodhon dot asgjë, përveçse shpërdorimin e triliarda dollarëve nga paratë e taksapaguesve të botës dhe shfaqjeve artistike si këto që na dhuroi Greta, për tu fokusuar në zgjidhje të zgjuara, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, që vijnë nga çdo fushë e shkencës.

gentiankaprata.blogspot.com

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH