Editorial

Pasqyra e fushatës si mallkim i një rotacioni narcistik

Shkruar nga Liberale
Pasqyra e fushatës si mallkim i një rotacioni narcistik

Bjorn Kamberi

Qysh në fillim të dizenjimit të demokracisë si mundësi ciklike e rotacionit të elitave nëpërmjet votës së qytetarëve dhe shprehjes së vullnetit të tyre mbi përfaqësimin dhe qeverisjen, fushatat para-zgjedhore kanë simbolizuar gurkreun e përpjekjes politike për ta zotëruar këtë përfaqësim të deleguar të votuesve. Kësisoj, rëndësia e tyre hiperbolizohet disi edhe në vendet më demokratike, aq sa është e vështirë të shquash ato raste ku fushata e shmang patetizmin dhe populzimin për tu qendërzuar tek vlerat dhe premtimet, programet dhe principet. Sidoqoftë, konceptimi i fushatës para zgjedhore si referencë mesjetare e fushatës si orvatje militare për kaplim kalaje dhe pushtim principate vazhdon të mbetet relevante edhe në shoqërinë post-moderne si si një instrument arkaik që shëmbëllen vazhdimësinë në përpjekjen e elitave politike për t’iu përshtatur ritmit të ndryshimeve. E megjithatë, kohët e reja ashtu siç na thonë latinët, kërkojnë zakone të reja, e prej kësaj maksime nuk ka sesi të përjashtohen edhe fushatat. Realitet politike, demografike, zhvillimet teknologjike dhe paretet mediatike tok së bashku e kondicionojnë fushatën duke i orientuar faktorët politikë drejt ç’mund të vlente e ç’nuk do vlejë prej arsenalit të strategjive të komunikimit publik. Kohët e pazakonta që po përjetojmë ashtu siç kanë parashtruar modifikime të shumëllojshme në një sërë aspektesh, kanë ndikuar edhe në qasjen e partive politike karshi elektoratit e për pasojë edhe në didaktikën e fushatave elektorale, që mahia e pandemisë nuk ua mpaku hovin. Duke patur parasysh fushatën e këtij viti dhe rëndësinë e 25 Prillit për skakierën e politikës shqiptare me vlerë do të qe të analizoheshin aspektet e fasadës së fushatës si komponent integral krahas brendisë së retorikës politike.

Në këtë linjë s’duhet lënë pa përmendur rëndësia e kësaj fushate për forcat politike, në veçanti për opozitën, e për pasojë edhe larushia e strategjive dhe konsulentëve të huajtur prej partive ja shton interesin dhe vlerën kësaj analize. Sa kohë që efektshmëria e fushatës do jetë vendimtare për objektivin e opozitës dhe rotacionin, e tillë është edhe analiza e syprinës së fushatës për të kuptuar gradientin e përputhshmërisë mes kësaj fushate dhe simetrikës së paradigmës teorike e dijes historike.

Së pari, duke marrë parasysh kufizimet e imponuara prej pandemisë, opozita e ka orientuar fushatën kah një dikotomie, zvogëlimi të madhësisë së tubimeve e paralelisht rritjes së shpeshtësisë së tyre. Në këtë prizëm mund të thuhet se opozita është investuar në dy qasje kongruente që e integrojnë takimin e drejtpërdrejtë me qytetarët njëkohëshmërisht me organizimin e agorës klasike të qendërzuar përreth liderit Basha në ndalesat e tij anë e kënd Shqipërisë. Kjo strategji paraqet disa avantazhe pasi i konsideron trendet e rritjes së audiencës mediatike bashkërisht me rivitalizimin e strukturave në bazën e hierarkisë partiake. Duhet përmendur se centralizimi i aktivitetit politik të partive që vjen si kolateral i sistemit politik dhe Kodit Zgjedhor e kishte orientuar në dekadën e fundit aktivizmin drejt monoteizmit të retorikës, diskurit dhe praktikës ashtu siç diktohej nga qëndra dhe lideri. Në këtë mënyrë partia ishte kthyer në trupën e bindur të regjisë qendrore, ndërsa baza militanteske në rekuizitën e këtij teatri që përdorej me raste në varësi të nevojës së shfaqjeve që konceptoheshin dhe ekzekutoheshin në Tiranë. Kjo qasje edhe pse e motivuar nga një tendencë e përgjithshme sociale për centralizim, e pat bjerrur vitalitetin e bazës dhe autonominë e veprimtarëve lokalë, që në fakt përfaqësojnë të vetmen alternativë për qëndrueshmërinë e partisë dhe ruajtjen e lidhjeve mes partisë dhe mbështetësve. Kushtet e reja nën pandemi e risollën në tryezë rëndësinë e bazës partiake që u rilevua si domosdoshmëri në konditat e kufizimit të pjesëmarrjes në tubime dhe vlerës së komunikimit të drejtpërdrejtë me votuesit. Më gjasë këtë integrim në qasje e kanë inkurajuar edhe konsulentet e imazhit dhe strategët e fushatës të pajtuar prej PD-së në këto zgjedhje. Vepër e tyre duhet të jetë edhe dualiteti prej Yin dhe Yang-u ku Basha shfaqet si lider omnipotent që u drejtohet masave në tubimet e improvizuara mes makinash, ndërkohë që eksponentët e tjerë dhe kandidatët e listës parlamentare organizojnë mbledhje më të vogla e në përgjithësi në ambiente të mbyllura, kushtëzuar edhe prej shiut pranveror. Në sipërfaqe ky kombinim ngjet i gjetur dhe i qëndron makro-porgramit të normalitetit. Tekefundit takimet e kufizuara në numër mes votuesve dhe kandidatëve për përfaqësues të tyret e përsjellin elementin e munguar deri më tani të normalitetit të bisedës dhe dëgjimit të problematikave të njerëzve, të cilat në kushte të tjera mbyten prej zhurmës së mitingjeve klasike dhe oshtimës tollovike të eksklamimit dhe ekstazës, si emërues të përbashkët të ç farë do grumbullimi masiv.

Së dyti, po aq saç kanë qenë oportunitet dhe letim nga pikëpamja e kostove dhe organizimit, thjeshtësimi i fushatës i imponuar prej pandemisë e ka përballur lidershipin e PD-së me një sfidë të pazakontë. Kufizimet në numër por edhe në frymë, pasiguria dhe mpakja e dëshirës për ndërveprim në turma që mund të jetë edhe përkufizim i impaktik sociologjik të COVID19, qëndron në kundërti të plotë me narrativën e padurimit popullor për ndryshim, pakënaqësisë dhe vlimit si edhe optimizmit masiv për rotacion që do imponohej nga vullneti opozitar. Në mënyrë që kjo narrativë të reflektohej sy të gjithëve PD-së iu desh ta shartonte nevojën për tubime masive si demonstrime të forcës dhe dëshmi të votës, me shmangien e teprimit të grumbullimit të qytetarëve. Kjo e fundit do çonte ujë në mullirin e Ramës sipas retorikës antagoniste; vaksinim masiv si program i qeverisë dhe infektim masiv si projekt i një opozite pa plan. Andaj edhe sa më sipër është parë si një zgjidhje oportune, pavarësisht se përqendrimi në dy skenarë paralele e mpak deri diku intensitetin e vlefshmërinë e secilit veç e veç. Kësisoj opozita rrezikon të përfundojë në një plan ku drejtëza e tubimeve kufizohet në improvizim të turmave të  mbledhura mes rrugësh dhe në anën tjetër, segmenti i takimeve me bazën pikëprehet me diskordancën mes veprimtarëve lokalë të lënë në harresë për shumë vite dhe drejtuesve partiake të imponuar në moment të fundit.

Së treti, vlen të përmendet se deri më tani opozita nuk ka mundur të krijojë një urë të qëndrueshme mes pazakontisë së rrethanave sociale dhe nevojës politike për rotacion. Kjo urë mbi lumin e skepticizmit dhe apatisë popullore do e lidhte bregun e pritshmërive popullore me zotimin opozitar për ti përmbushur ato denjësisht. Pa u konsoliduar ky shteg mbi urë, premtimet opozitare dhe oferta programatike rrezikojnë të qorrollisen në thellësitë e cinizmit, skepticizmit dhe apatisë së elektoratit gri. Për më tepër që rrugëtimi opozitar tetë vjeçar do duhet të kishte prodhuar momentumin e shpresës që i shtohet si mbipetk rrobës së konsumit qeveritar për të veshur kësisoj rotacionin. Në kushte të tjera për pjesën më të madhe të shoqërisë rotacionet e mëdha politike do duhej të përfaqësonin piketa të rëndësishme demokratike në rrugëtimin e një kombi drejt përsosjes, e për pasojë të provokonin të njëjtën vetpërmbushje e entuziazëm të atillë që i karakterizon alpinistët që shënjojnë një kuotë të re në përçapjen e tyre drejt majës. Mungesa e këtij entuziazmi mund të fshihet përkohësisht nga prezenca e pandemisë por rrënjët që e provokojnë këtë prozvalje të padurimit optimist dëftojnë për mangësi të kahershme të strategjisë opozitare në përpjekje për ti bindur të pavendosurit dhe galvanizuar aktivizëm politik. Një javë të shkuar njëra nga analizat e kësaj sage studimore diagnostifikonte nevojën për risi në retorikën opozitare dhe aksionin e Bashës e deri më tani të tilla risi nuk ka patur. E kjo nëvojë për risi nuk është thjesht një kërkesë e paradigmës estetike. Fushata elektorale duhet  të hapë horizonte të reja shprese, të stimulojë energji të fshehura vullnetarizmi sa edhe të kalçifikojë bindjen se ndryshimi nënkupton zhvillim, përmirësim dhe kthjellim. Përsëritja e retorikës së përdorur përgjatë tetë viteve mund të qe një manovër normale e para-fushatës por asesi asortimenti i pjatës së ofruar si vakti kryesor një javë përpara zgjedhjeve. Mungesa e risive, qoftë edhe të atyre risive brenda kornizave të normalitetit, sa edhe adoptimi i një qasjeje të njohur, të përdorur e të provuar rrezikon të krijojë një Jamais Vu mes njerëzve për retorikën opzitare dhe një Déjà vu të rezultatit të zgjedhjeve.

Thënë këto, duhet kuptuar se fushatat si kulmim i epërm i veprimtarisë së forcave politike dhe sulm i tyre për pushtim të zemrave të elektoratit dhe bindjes së tyre, vazhdojnë të mbeten relevante edhe në pikëpamjen taktike, por edhe në atë pragmatike, sa I takon nivelit të ndikimit në rezultat. Sidoqoftë efektshmëria e fushatave dhe vlera e tyre në dobi të objektivave politike ndikohet dhe diktohet prej rrethanave po aq sa edhe prej strategjive të zgjedhura. Kushtet e pazakonta të imponuara prej rrethanave të këtij Prilli e diktuan nevojën për një fushatë të pazakontë, të veçantë, e kjo nevojë bëhet më therrëse në rastin e një opozite që kërkon rotacion, sesa një qeverie që ofron vazhdim. Fushata e deri më tanishme ka dëshmuar për një orvatje të pjesshme të opozitës për tu përshtatur me realitetin e ri pa arritur që ti kapërcejë rrethanat e ti përdore ato në dobi të kauzës së saj. Për pasojë java e fundit përpara zgjedhjeve përfaqëson edhe shansin e fundit të Bashës për të ngritur stekën e retorikës drejt një regjistri më të lartë, më të veçantë, të atillë që të shërbente si kthjellim për qëndrueshmërinë e zotimeve, risinë e premtimeve, dhe përfaqësimin e një alternative të re e dinjitoze të së djathtës shqiptare. Në të kundërt Basha do ngjajë si një lider i pashpresë që kuturitet me eskortë e flamur nga qyteti në qytet për të harxhuar ditët e kësaj jave, jo si maratonomak i lajmit për rotacion, por si Sizif i mundimit për të garuar e humbur në përjetësi. E atëhere alibia se madhështinë e fushatës dhe strategjinë e Bashës e zvetnoi pandemia do të qe po aq qesharake sa krahasimi i agorës antike me podiumin e një tubimi të improvizuar në karrocerinë e hapur të një Ford-i teksan./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH