Kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës në Kuvend i kanë dërguar një kërkesë zyrtare kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi ku kërkojnë takim për të diskutuar mbi Reformën Zgjedhore.
Në letrën e firmosur nga Myslim Murrizi, Edmond Stojku dhe Nimet Musai thuhet se marrëveshja e firmosur me partitë që kanë dalë nga Kuvendi është në shkelje të legjitimitetit të tij. Ata thonë se kanë dy kushte me të cilat kushtëzojnë edhe votën e tyre në Kuvend për miratimin e reformës.
Letra është bërë publike nga kreu i grupit parlamentar demokrat Myslim Murrizi i cili thotë se janë të vendosur për të mos votuar asnjë pazar të Këshillit Politik që nuk ka lidhje me reformën Zgjedhore.
“A) Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë i ri dhe jo një arnim skandaloz i Kodit të Vjetër ku shkelen me të dyja këmbët rekomandimet e OSBE. Ata që iknë nga parlamenti nuk mund ta mbajnë peng as parlamentin as procesin zgjedhor në Shqipëri sipas hesapeve të tyre qoftë edhe me bekimin e kryetarit të maxhorancës që sillet edhe si Ali, edhe si Kadi sipas hesapeve të tij.
B) Shumica në Kuvendin e Shqipërisë duhet të na krijojë kushte dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur, për kalimin nga listat e mbyllura tek listat e hapura.
Ne ju kërkojmë që brenda 48 orës ju të thërrisni një tryezë dialogu mes nesh dhe përfaqësuesve të mazhorancës ku vetëm prania e kryetarit/kryeministrit Rama do ishte prova e seriozitetit të tryezës.
Ju bëjmë me dije zoti kryetar i Kuvendi se në mungesë të plotësimit të kushteve të mësipërme, deputetët e opozitës parlamentare nuk mundet dhe nuk do ta votojnë produktin e dalë nga një marrëveshje pazari jashtë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në letër./Gazeta Liberale