Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Protestë e vogël, për një korrupsion të madh

Shkruar nga Ervis Iljazaj

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Protestë e vogël, për një

Problemi i protestës të një pjesë të opozitës përpara Bashkisë së Tiranës nuk janë flakadanët apo molotovët në muret e institucionit. Nuk ka në këto protesta ndonjë agresivitet të ekzagjëruar apo dëmtim instucionesh. Edhe ato pak incidente janë brenda normalitetit të protestave politike, jo vetëm në Shqipëri por edhe përtej saj.

Gjithashtu problem i protestave nuk janë as reagimet e ndërkombëtarëve që bëjnë thirrje për një protestë paqësore. Këto thirrje të ndërkombëtarëve janë normale. Sa herë që ka patur protesta në Shqipëri gjatë këtyre viteve, ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për protesta paqësore dhe kanë dënuar aktet vandale të tyre.

Janë si të thuash thirrje protokollare dhe aspak marrje në mbrojtje të Erion Veliajt ashtu sikurse pretendon rithemelimi. Madje, në disa nga deklaratat e selive ndërkombëtare duke filluar nga ajo e ShBA, theksohej fakti që të gjithë kanë të drejtë të protestojë kundër korrupsionit. Në këtë menyrë pranuan indirekt korrupsionin në Bashkinë e Tiranës.

Problemi me protestat e rithemelimit dhe një pjesë të opozitës përpara Bashkisë Tiranë, është fakti se ato janë protesta të vogla për një korrupsion të madh. Si asnjëherë më parë janë arrestuar për korrupsion drejtorët kryesorë të bashkisë së kryeqytetit duke u kapur në vjedhje të trashë dhe të hapur. Skandali ishte aq i madh dhe aq i hapur saqë protestat përpara bashkisë duhet të gëlonin nga njerëzit. Ndërkohë që pjesëmarrja ka qenë relativisht e vogël në raport me korrupsionin e madh. Si ka mundësi që edhe për korrupsionin masiv të bashkisë në mënyrë flagrante njerëzit nuk ngrihen që të protestojnë?! Si ka mundësi që edhe për një çështje kaq të ndjeshme sa vjedhja hapur e taksave të qytetarëve këto protesta nuk ‘’ndezin’’? Mund të ketë disa arsye.

E para, sepse njerëzit ndihen të frikësuar për të protestuar duke parë përndjekjen që i bën pushteti atyre që i dalin kundër. Është e ditur që arrogonca e pushtetit aktual nuk toleron kritikët e tij dhe njerëzit padyshim kanë merakun e punës apo të familjes së tyre.
E dyta, ka të bëjë me ata që udhëheqin protestën. Në krye të protestës shpesh herë gjenden njerëz të cilët perceptohen njësoj të korruptuar. Jo të gjithë, por një pjesë e mirë e tyre. Kartën morale nëse mendon ta luash në politikë, në radhë të parë duhet ta kesh vetë. Fatkeqësia më e madhe është pikërisht kjo gjë. Që njerëzit i përceptojnë të gjithë në politikë si të korruptuar dhe nuk dalin të protestojnë për vjedhje kaq banale të taksave të tyre kur këto protesta udhëhiqen nga njërëz të caktuar.

E treta, një protestë kundër korrupsionit nuk mund të ketë sukses kur ajo thirret nga njërëz që janë në masa të kufizimit të lirisë për korrupsion si zoti Berisha. Ka një kontradiksion në objekt, në thirrjen e përditshme që bënë Berisha për protesta kundër korrupsionit, në Bashkinë e Tiranës. Njerëz të akuzuar për korrupsion nuk mund të udhëheqin një protestë kundër korrupsionit.

E katërta, rithemelimi bën gjithë ditën politikë me arestimet e SPAK dhe në darkë e akuzon këtë të fundit si organizatë kriminale. Rithemelimi ka një konflikt interesi me organin e ri të drejtësisë. SPAK ka arrestuar liderin e tyre Berisha. E në këtë kuptim, çfarëdo aksion të ndërmarë SPAK kundër korrupsionit asnjëherë nuk kanë për ta legjitimuar, edhe nëse arreston Erion Veliajn.

Së fundmi, të protestosh kundër korrupsionit dhe të votosh në parlament për amnistinë e veprave penale të korrupsionit, sigurisht që bëhesh i pabesueshëm në sytë e opinionit publik.
Të gjitha këto arsye, përbëjnë kontradiksione të thella politike, madje janë pothuasje skizofeni politike. Dhe nuk ka dyshim përbëjnë arsyet kryesore se përse protesta përpara Bashkisë Tiranë nuk është masive aq sa është korrupsioni brenda saj.
Pyetja përfundimtare dhe domethënese politike, jo vetëm në rastin e Bashkisë Tiranë, por në përgjithësi të politikës shqiptare, është se përse opozita nuk ka fituar kapital politik edhe pse rastet e korrupsionit të kësaj qeverie sa vijnë e bëhen më të shumta dhe më flagrante? Këtë pyetje duhet ti bëjnë vetes të gjithë opozitarët, që të nisin dhe të reflektojnë. Dhe çfarë duhet të ndodhë tjetër me këtë qeveri që opozita shqiptare të përfitojë politikisht?!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH